Edi Rama rob i makthit të “Rrugës së Kombit”, tjetër sulm ndaj autostradës që bashkon shqiptarët

Faktet rrëzojnë Edvinin/Aktualisht janë ndërtuar e rindërtuar mbi 9 mijë km rrugë, 5900 prej të cilave përfunduan në mandatin e parë të qeverisë “Berisha”
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në kuadër të diskutimit të programit politik, ka deklaruar se vendi nuk ka asnjë plan për zhvillimin e infrastrukturës. Sipas zotit Rama, objektivi kryesor mbetet krijimi i një rrjeti të unifikuar transporti. Por cili është realiteti i infrastrukturës rrugore në vend, investimet për të cilën në programin qeveritar janë orientuar sipas kritereve ekonomike dhe sociale? Aktualisht janë ndërtuar e rindërtuar mbi 9 mijë km rrugë, 5900 prej të cilave përfunduan në mandatin e parë të qeverisë “Berisha”. Investimet publike gjatë atij mandati kaluan në nivelin e 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga më pak se 5 për qind që ishte ky tregues në vitin 2005. Nëse në mandatin e parë vëmendja e ekzekutivit u përqendrua kryesisht në ndërtimin e rrugëve kombëtare, ku më kryesorja ishte përfundimi i Rrugës së Kombit, fokusi në mandatin e dytë ishin investimet paralelisht edhe në shtrimin e rrugëve rurale. Qeveria po vijon punimet në akset dhe unazat e rëndësishme kombëtare të transportit rrugor si Rruga e Arbrit, Korridori i Jugut, rruga Levan-Tepelenë, Unaza e Tiranës, ndërsa deri vitin e ardhshëm përfundon dhe rruga Tiranë-Elbasan.
Objektivi i ndërtimit të kësaj infrastrukture është përgjysmimi i distancës kohore me Tiranën, nga çdo fshat dhe qytet i vendit; dalja brenda 15-25 minutave me rrugë të asfaltuara në rrugë kombëtare nga qendra e çdo komune të vendit; lidhja me rrugë të asfaltuar të çdo fshati me qendrën e komunës, për një kohë rreth 15-20 minuta. Investimet infrastrukturore janë të orientuara gjithashtu dhe në dyfishimin e lidhjeve ndërkombëtare tokësore me vendet fqinje.