Shqipëria, vend përballë

Në këtë seli madhështore, Shqipëria paraqitet në mënyrë prestigjioze, me një program jashtëzakonisht të pasur dhe me pjesëmarrjen e personaliteteve nga më të shquarat italiane, shqiptare dhe arbëreshe.
Javët e kulturës janë organizuar nga ambasada shqiptare, përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në komunën e Romës, Edmond Godo, dhe gazeta “Bota Shqiptare”, me kontributin edhe të shoqatave nga e gjithë Italia. Inaugurimi i një ekspozite kolektive me pjesëmarrjen e firmave më të njohura të artit figurativ shqiptar me banim në Itali, shënoi fillimin e aktiviteteve.
“Jemi në muzeun e civilizimit roman me kulturën tonë, me historinë tonë”, u shpreh Llesh Kola, ambasadori shqiptar në Romë.
“Ne e festojmë këtë festë të shënuar në tokë të huaj por do të kishim dëshirë ta zhvillonim në vendin tonë. Pavarësisht nga kjo jemi të lumtur që këto lloj festash na gjejnë bashkë”, tha Edmond Godo, përfaqësues i komunitetit shqiptar pranë komunës së Romës.
Tryeza të rrumbullakëta, seminare, projektime filmash e dokumentarësh, ekspozita fotografike janë vetëm një pjesë e programit që do të vazhdojë deri në ditët e para të marsit.
Me rastin e këtyre aktiviteteve janë ekspozuar edhe dokumente të rralla të periudhës së pavarësisë të ofruara nga Arkivi Shqiptar i Shtetit.