E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali synon ta ‘ngrohë’ Moskën

Real Madridi është i motivuar para përballjes me CSKA Moskën, në kuadër të duelit të tyre të parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve. Jose Mourinho thotë se nuk do të jetë lehtë, por skuadra e tij është në formë të shkëlqyeshme. Në takimin tjetër, Napoli i favorizuar pret Chelsean në San Paolo.

Real Madridi mbërriti në Moskë i vetëdijshëm se përballet me një detyrë të vështirë kundër CSKA Moskës, në duelin e tyre të parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve. Ndeshja fillon në orën 18:00 të martën.

Reali u prit nga rreth 250 tifozë pas zbritjes në aeroportin Sheremetivo në Moskën e ftohtë. Skuadra madrilene është në formë të shkëlqyeshme dhe ka krijuar dhjetë pikë epërsi ndaj Barcelonës në krye të tabelës në La Liga. Por, trajneri Jose Mourinho ka pranuar se skuadra e tij nuk do ta ketë lehtë kundër CSKA Moskës.

“Sytë tanë tani janë në Ligën e Kampionëve dhe duhet të përqendrohemi në ndeshjen kundër CSKA Moskës. Jemi grup i lumtur dhe i motivuar, por e dimë se nuk do të jetë lehtë”, tha Mourinho.

Sipas UEFA.com, CSKA Moska është e pamposhtur në pesë ndeshje në shtëpi dhe udhëtime kundër skuadrave spanjolle. Mourinho ka ftuar 21 futbollistë për ndeshjen kundër CSKA-së, kurse për shkak të lëndimeve mungojnë Hamit Altintop, Angel di Maria dhe Lassana Diarra.

Edhe CSKA ka një numër të futbollistëve të lënduar, përfshirë mbrojtësit Kirill Nababkin dhe Pavel Mamaev, mesfushorin Mark Gonzales, plejmejkerin Keisuke Honda dhe sulmuesin Vagner Love.

“Jam optimist se të gjithë futbollistët e mi do të hyjnë në ndeshje me përqendrim maksimal. Na nevojitet të kemi besim të plotë. Të gjithë e dimë se një start i mirë mund të përcaktojë ndeshjen”, tha trajneri i CSKA-së, Leonod Slutsky.

Në ndeshjen tjetër, Napoli pret Chelsean në San Paolo. Trajneri i skuadrës italiane, Walter Mazarri, ka paralajmëruar futbollistët e tij të jenë të vëmendshëm kundër londinezëve. Napoli konsiderohet favorit për duelin e parë kundër Chelseas, duke pasur parasysh formën e dobët të londinezëve. Por, Mazzarri ka kërkuar përqendrim të lartë nga lojtarët e tij.

“Është qesharake që ne konsiderohemi si favoritë, por jemi krenarë nga kjo. Megjithatë, nuk do të jetë lehtë dhe nuk guxojmë të bëjmë gabime. Rezultati i mirë vjen vetëm kur skuadra luan në maksimum”, tha Mazzarri.

Chelsea sigurisht se nuk do të dorëzohet. Menaxheri Andres Villas-Boas është nën presion të madh dhe Liga e Kampionëve paraqet të vetmen mundësi për të që të sigurojë punën edhe për edicionin e ardhshëm.

1/8 e finales:

CSKA M – Real Madrid 18:00

Napoli – Chelsea 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›