E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria vendos rekord historik me pesë fitore radhazi

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Fitorja 0-1 ndaj Andorrës ka sjellë një tjetër arritje historike për Kombëtaren e drejtuar nga Sylvinjo, e cila regjistroi pesë fitore radhazi për herë të parë në historinë e saj.

Mes këtyre sukseseve përfshihen edhe miqësoret ndaj Gjibraltarit dhe Jordanisë.

Shqipëria nuk kishte arritur kurrë një seri të tillë fitoresh.

Kuqezinjtë nuk humbin që nga 21 marsi, kur u mposhtën 2-0 nga Anglia në Londër.

Që prej asaj date, skuadra numëron tetë ndeshje radhazi pa humbje, gjashtë fitore dhe dy barazime.

Pesë triumfet e fundit kanë ardhur kundër Gjibraltarit, Letonisë, Serbisë, Jordanisë dhe Andorrës, me golaverazh të përgjithshëm 8-2.

Sfida e radhës pritet më 16 nëntor në “Air Albania”, ku Shqipëria do të presë Anglinë në ndeshjen e fundit të Grupit K.

Takimi, që luhet në orën 18:00, nuk ndryshon renditjen: Anglia ka siguruar vendin e parë dhe kualifikimin për Kupën e Botës 2026, ndërsa Shqipëria e mbyll grupin në vend të dytë dhe do të luajë në play-off për një vend në finalet që do të zhvillohen në Amerikën e Veriut verën e ardhshme.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›