Shqipëria vuan nga shqiptarët

Drejtori Ekzekutiv i gazetës “Mapo”, Henri Çili deklaroi se “Ben Blushi ka krijuar një risi në dekadën e re, ka kthyer një lloj shije për të lexuar letërsi. Libri metaforë e një Shqipërie utopike”.
Ndërkohë shkrimtarja Diana Çuli e vlerësoi librin si një befasi letrare, pasi sipas saj, është një metaforë e madhe.
"Është krijimi i një Shqipërie utopike, ku ka personazhe me emra real, por mbetet një krijim artistik", u shpreh Çuli.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Blushi e cilësoi librin e tij më të ri, jo si libër historik, por libër për të gjithë shqiptarët. Ai tha se ky libër përshkruan një eksperiment njerëzor dhe se Shqipëria vuan nga vetë shqiptarët.
"Libri Shqipëria këtë kërkon të thotë, Zoti mund të zëvendësohet, por jo nga një njeri, në të kundërt Zoti mund të zëvendësohet nga çdo njeri që është Zoti i vetes dhe i askujt përveç vetes. Por ky libër në fund fare nuk i jep askujt asnjë këshillë”, theksoi Blushi
Blushi tha më tej se në libër përshkruan edhe marrëdhëniet e shqiptarëve me Zotin.
“Raporti i shqiptarëve me Zotin ka qenë kaotik. Shqiptarët kanë mohuar Zotin dhe lirinë e tij”, deklaroi Blushi.
Në promovimin e librit të deputeti socialist Ben Blushi, përveç kreut të PS-së Edi Rama ishin të pranishëm edhe dy përfaqësues të mazhorancës, Ilir Meta dhe Gazmend Oketa.