“Domatja” e së majtës
Xhon Lok thotë se, “njohja e njeriut s’mund të shkojë përtej përvojës së tij”. Kjo thënie m’u kujtua teka ndoqa deklaratat për shtyp të Ramës dhe Metës pas ngjarjes së Laçit ku humbi jetën një simpatizant i LSI-së dhe u plagosën kandidati për deputet i PD-së së bashku me një të afërmin e tij. Në momentin që u informova nëpërmjet medias vizive për ngjarjen, dhe kur mora vesh që Meta me Monikën dhe Rama me Vetveten u nisën urgjentisht drejt vendit të ngjarjes; pothuajse e kisha të qartë se çfarë do të artikulonin ata “në çift”: Sigurisht, asgjë përtej “…përvojës së tyre politike”. Dhe kështu ndodhi. Meta si një matrapaz i rëndomtë politik synoi që me deklaratën e vetë të justifikojë veprimet e lukunisë së tij për të blerë vota, ndërsa Rama, që në këtë rast, me thënë të drejtën, m’u duk taktikisht më i përgjegjshëm, ndërseu kreun e LSI-së për ta keqpërdorur politikisht aleatin e tij të dyshimtë në çdo moment. Për mendimin tim, ishte hera e parë që pashë një Ramë “të rilindur”, qysh nga koha kur ai erdhi në krye të Partisë Socialiste. Sidoqoftë, si njeri ashtu dhe tjetri reaguan sipas përvojës së tyre majtiste, duke kërcënuar e duke bërë presion elektoral mbi zgjedhësit shqiptar, në momentin më të papërshtatshëm për ta bërë një gjë të tillë; pra në ditën e votimit!?. Përveç të tjerash ata e treguan veten edhe si ata lloj individësh, që me meskinitete e skenarë ogurzinj, “ta lënë dobiçin në derë”, duke menduar vetëm falsitetin dhe jo realitetin; pra për anën e jashtme dhe jo brendinë e gjërave. Tek teoria filozofike e njohur si “Veli i perceptimit” sillet edhe një shembull me “të kuqen e domates”, që, gjithsesi, s’mund të jetë një cilësi e saj në vetvete, “…por produkt i ndërveprimit të disa faktorëve të ndryshëm…”. Kështu ndodh dhe me “të kuqen” e së majtës. Në kohën e sotme e majta shqiptare s’mund të jetë ngjyra e gjakut të derdhur në realizimin e veprimeve revolucionare apo militare, ashtu si para një shekulli. Pavarësisht kushteve në të cilat ndodhet sot shoqëria jonë në raport me Perëndimin dhe Europën, e majta aktuale s’mund të eci sipas filozofisë revolucionare të një shekulli më parë, për të ardhur në pushtet me dhunë e manipulime. “Domatja” e sotme majtiste në Shqipëri, që “të kuqojë”, duhet të marrë në konsideratë faktorët aktual për progresin, integrimin dhe zhvillimin e vendit tonë. Pra, duhet të jetë një “e kuqe” sipas kushteve konkrete dhe jo sipas trashëgimisë revolucionare të së majtës gjakatare përgjatë 72 viteve. Në të kundërt stimulohet dhe ofrohet tragjedia e vërtetë. Tek “Erashka e Zonjës Windermere”, Oscar Uajlld thotë midis të tjerash, se: “Në këtë botë nuk ka veçse dy lloj tragjedish: njëra që shkaktohet kur njeriu s’e arrin dot atë që dëshiron, tjetra ngaqë e arrin. Kjo e fundit është më e rënda sepse është tragjedia e vërtetë”. Bëhet fjalë për një tip të veçantë “njeriu”, kryesisht me vese, i cili është i pranishëm në çdo kohë dhe në çdo vend, pavarësisht se i pakët në numër, por që në shumicën e rasteve rend drejt pushtetit politik. Kur duam të kërkojmë me emër një tip të tillë “njeriu” në Shqipëri, mendja menjëherë na shkon tek Edvin Rama, momentalisht kandidat për kryeministër së bashku me aleatin e tij Metën, si “dy kamberë në një derë”; veprimtaria njerëzore dhe politike e të cilëve nuk mund të analizohen ndryshe, veçse të para nën këtë këndvështrim filozofik. Dëshirat e tyre “tragjike”, të cilat kanë zënë të shfaqen ndoshta pak më herët se sa tek “idi” frojdist i “aparatit psikik” të Mehmetit, shokut të gjimnazit të Ramës; me eksperienca të hidhura familjare, para pak vitesh, mund të shndërrohen në të ardhmen, në fatkeqësi kombëtare për të gjithë shqiptarët, për shkak të ambicies së tyre të shfrenuar për pushtet të pamerituar. Qëllimi i tyre i vërtetë në Laç, nëse perifrazojmë Karl Popperin, ishte thjeshtë tmerrndjellës dhe “faktmbledhës”, për t’i treguar opinionit vendas dhe atij të huaj në momentin e finalizimit të procesit zgjedhor “…një skëterrë joekzistuese kapitaliste, e cila duhej shkatërruar për hir të njerëzimit, edhe sikur të zhdukej vetë njerëzimi”; pra shqiptarët në rastin konkret, së bashku me zgjedhjet e tyre të lira e të ndershme. Në krye të këtij misioni është Rama, i cili e ka konceptuar dhe realizuar gjithçka, këto 6-7 vitet e fundit, me stilin e një “komunist, bir komunisti” të sprovuar, duke dëshmuar se në deje i rrjedh gjak revolucionar dhe e meriton plotësisht etiketimin: “Çun Blloku”. Derdh lotë krokodili dhe bën betime “Kopili” (kështu e quante Halil Hoxha - Enverin, pasi i vdiq djali tjetër: “Më iku i Miri, më mbeti Kopili”), siç ndodhi për katër të vrarët në mënyrë aksidentale në ngjarjet e 21 janarit 2011, me qëllim që të ndez frymën revolucionare dhe të stimulojë veprimet ilegale ndaj qeverisë “Berisha”, në të katër anët e vendit, kryesisht, ditën e zgjedhjeve parlamentare. Vetëm në këtë pikë Rama, e tashmë edhe Meta shkojnë përtej mentalitetit të Atit të tyre shpirtëror-“Kopilit”; pasi Enveri i organizonte veprimet revolucionare në mënyrë vullnetare, duke u dhënë përparësi stimujve moralë, ndërsa krerët e majtë, “nuk ia kanë kujt për nder”, lidhur me sakrificat e bëra dhe gjakun e derdhur, pasi kanë paguar këdo “deri në qindarkën e fundit”. Kjo u jep atyre të drejtën që ta konsiderojnë “mish për top”, gjithësecilin prej pjesëmarrësve në demonstrata, greva urie apo veprime të tjera vetëflijuese edhe ditën e zgjedhjeve “…me emrin e PS-së dhe LSI-së në gojë”. Parimi i tyre revolucionar është: “paguaji financiarisht dhe përdori politikisht” të gjithë “njerëzit në nevojë”. Jo më kot ka zënë vend në gojën e tyre shprehja: “pushteti i parasë”, qysh nga koha kur kanë filluar të blejnë vota e komisionerë në zgjedhje, në periudha të ndryshme kohe përgjatë këtyre 23 viteve tranzicion. Paraja është “Ylli Polar” i politikës së tyre, prandaj i kanë mbushur kryesitë e partive dhe listën e kantidatëve për deputetë me “biznesmenë milionerë”. Shumica e këtyre “VIP”-ave i takojnë biznesit të ndërtimit, që lulëzoi në kohën kur Edvin Rama ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit dhe Meta mbështetës i tij. Shprehjen popullore: “Paraja e hedh ujin përpjetë!”, ata e ka transformuar sipas togfjalëshit: “Paraja të jep pushtet” apo “ke para, ke gjithçka në këtë dynja”!. Kjo është arsyeja që politika e tyre nuk ka moral, nuk ka parime, por mbi të gjithë nuk ka vizion; ndaj nuk u bën përshtypje të deklarojnë se do të bëjnë “qiqra në hell” me të majtën në pushtet apo gjirin e vogël të lumit do të bëjnë det!?...
Por kulmin e kësaj “tragjedie të vërtetë” e përbën ardhja e mundshme e tyre në pushtet, ndërkohë që ata përparimin e konsiderojnë “një ligj të natyrës”. Iu referova Fisherit në këtë rast, i cili thotë: “Në faqet e historisë është shkruajtur qartë dhe kuptueshëm fakti i përparimit. Por përparimi nuk është ligji i natyrës. Atë që ka arritur një brez mund ta humbas përsëri brezi tjetër”. Pra, në rastin konkret do të thoshim: Atë që ka arritur deri tani për Shqipërinë “brezi i demokratëve” me në krye Sali Berishën, lidhur me zhvillimin dhe integrimin mbreslënës të vendit tonë, e humbet me siguri “brezi” i majtistëve me në krye Edvin Ramën apo Ilir Metën. Faktet janë para syve të gjithësecilit dhe mund të mos i shoh vetëm ai që është “qorr” nga mendja!?...