E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët do e përdorin votën e 23 qershorit për të rrëzuar Murin e Bllokimit

28-12-2012 / Gazeta 55

Sesioni parlamentar i vjeshtës mbyllet me bojkotin e radhës të opozitës socialiste, e cila refuzoi sërish të votonte 3 projektligjet e integrimit. Kryeministri Berisha kujtoi se kjo sjellje do të mbetej e fortë në memorien e zgjedhësve shqiptarë, të cilët do ta dënonin këtë opozitë në votimin e 23 qershorit

Kryeministri Sali Berisha, në mbyllje të sesionit parlamentar, deklaroi dje se opozita bllokoi projektin e integrimit, duke mos miratuar tre ligjet e kërkuara nga KE për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.
Sipas kreut të qeverisë, ky bllokim nuk ka ndodhur kurrë në historinë e BE-së, si dhe kurrë një lider i një force politike nuk ka guxuar të ngrihet kundër interesave jetike të kombit të tij dhe të përdorë votën qytetare që kanë ëndërr integrimin, të bllokojë procesin e integrimit. “Parlamenti votoi një seri kodesh dhe ligjesh, të cilat bënë të mundur një vendim historik të Komisionit Europian, vendim, i cili rekomandon Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian dhënien e  statusit të vendit kandidat  për Shqipërinë, me kusht që të votohen tre ligje, të cilat prej shumë muajsh presin të bllokuara në komisionet e këtij parlamenti me qëllim absolut të caktuar, me qëllim përdorimin e tyre si mur për bllokimin e procesit të integrimit nga kreu i opozitës së sotme. Ky bllokim nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Bashkimit Europian. Kurrë ndonjëherë një lider i një force kryesore politike, nuk ka guxuar të ngrihet kundër interesave jetike të kombit të tij dhe të përdorë votën e qytetarëve, që kanë si ëndërr kryesore procesin e integrimit, për të bllokuar tre ligje për të bllokuar procesin e integrimit”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se për muaj të tërë opozita angazhoi makinerinë e shpifjes, duke nxitur pseudo-argumente kinse dhënia e statusit do të lidhet me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por, raporti i Komisionit Evropian evidenton për marrjen e statusit, miratimin e 3 ligjeve të mbetura nga 12 rekomandimet.
“Për muaj të tërë, ju dëgjuar avoketërit e këtij bllokimi se, dhënia e statusit do të lidhet me zgjedhjet. Zgjedhjet janë një proces themelor i demokracisë, por zgjedhjet e vitit 2009 ishin zgjedhjet që përmbushën standardet kryesore të OSBE, nuk lejuan që statusi të lidhej me zgjedhjet. Shqipëria, demokracia e saj, shteti i së drejtës së saj, lufta kundër krimit dhe korrupsionit  kishin bërë të mundur që Komisioni Europian, institucioni kryesor që merr në shqyrtim në këtë proces veprimtarinë e të gjitha ministrive dhe agjencive të vendit në përputhje me detyrat që përcakton raporti i tyre, konkludoi se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat dhe duhet të votohen tre ligje. Jo se këto ligje kanë vakum, por si një dëshmi se të gjitha palët janë për procesin e integrimit. Kjo në mënyrën më paradoksale nuk ndodhi. Komisioni Europian në fillim të dhjetorit po kështu Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian dhe më pas Parlamenti Europian, të tri institucionet themelore qartësuan se kushti i vetëm për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë ishte votimi i tre ligjeve dhe jo zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme. Ai do të jetë një kusht për hapjen e negociatave, tha Berisha, ndërsa kujtoi se, makineria e dizinformimit qarkulloi të njëjtat thashetheme dhe shpifje, të cilat qarkulluan edhe në prag të marrjes së ftesës për në NATO. ‘Thanë se ky apo ai vend nuk do ta pranojë Shqipërinë’. Çdo vend anëtar i Bashkimit Evropian, tha Berisha, ka të drejtën e vetos, por Shqipëria e vlerësuar në çdo akt të veprimtarisë së saj nga Komisioni Europian do të ishte shumë e vështirë që të pengohej pavarësisht nga kimizmi i këtij apo atij vendi për Shqipërinë apo shqiptarët. Kjo do të ishte shumë e vështirë. Natyrisht tani është shumë e thjeshtë, kur kreu i opozitës shqiptare deklaron botërisht se, nuk voton ligjet dhe thotë se më jepni Fierin. Është e dhimbshme kur dëgjoj njerëz që kanë 20 vite në politikë dhe thonë se, në Fier a fitoi Partia Socialiste. Po, në Fier fitoi Partia Socialiste, por në vendin e lirë që quhet Shqipëri, në çdo vend të lirë të Europës, përfaqësuesit vendorë kanë të drejtë të kalojnë nga cila forcë të duan, siç kanë bërë edhe  deputetët. Dy deputetë të mijtë kanë kaluar në anë tuaj, Paulin Sterkaj dhe Gazmend Oketa, e kanë të drejtë këtë, na pëlqen apo jo ne drejtuesve të partive, na vjen apo nuk na vjen e hidhur neve, kjo e drejtë është  një dëshmi e funksionimit të demokracisë. Kjo nuk ndodh në diktaturë se të presin ato që të presin, në liri kjo ndodh. Ka ndodhur dhe do ndodhë dhe do pranohet një realitet”, tha ai.
Sipas kryeministrit, pretendimi i opozitës për qarkun e Fierit ishte vetëm një pretekst i saj për të bllokuar statusin.
“Pasi paraqiti Fierin si një pretekst tjetër, të cilin nuk ia përligji as edhe një njeri i vetëm, fajëson Gramozin (Ruçi). U thotë të huajve se nuk më lejon Gramozi. Më fal more zotëri, por e shumëzon dhjetë herë më zero sa herë që dëshiron Gramozin, Fatmirin dhe cilin do prej tyre, kur i leverdis e paraqet sikur këta nuk më lejojnë, kjo është e vërteta. Pasi i kanë thënë në sy jo një por disa përfaqësues të ndërkombëtar se ‘për ne Fieri nuk ekziston’, përgjigja e tij është, ‘për mua Gramozi ekziston’. Atëherë jam i bindur dhe e them këtu në sinqeritetin më të madh se kjo ka të bëjë me ëndrrën e çdo shqiptari, si kam personale këto. Nuk kam asgjë personale këtu, i them të vërtetat siç janë. Këto tre ligje nuk votohen dhe mbahet muri i bllokimit. Megjithatë demokracia kjo është, ajo është për tu mësuar. Zgjedhjet po vijnë, jam i bindur se shqiptarët do të përdorin votën e tyre për ta fshirë nga faqja e dheut atë mur dhe për të ecur drejt Europës të sigurt siç e meritojnë”, deklaroi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›