E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Shqiptarët, larg drejtimit të ushtrisë”/ BDI thirrje ndërkombëtarëve: Vendi po shkon drejt Rusisë

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas vendimeve të fundit të presidentes së Maqedonisë së Veriut për ndryshimet në strukturat komanduese të ushtrisë ne vend.

Zhvendosjen e gjeneralit Besnik Emini nga posti i komandantit të Komandës së Operacioneve drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, BDI-ja e ka konsideruar “goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri”.

“Kjo lëvizje dobëson strukturën komanduese të ushtrisë dhe rrezikon sigurinë kombëtare”, ka thënë BDI në një reagim publik.

Sipas BDI-së, këto veprime margjinalizojnë shqiptarët dhe cenojnë drejtpërdrejt integritetin dhe sigurinë e strukturave tona mbrojtëse.

Sipas partisë së Ali Ahmetit, “përjashtimi i udhëheqësve ushtarakë shqiptarë nga pozicionet kyçe minon parimet bazë të marrëveshjes paqësore të Ohrit”,

Këto parime, siç ka thënë BDI-ja, janë thelbësore për një forcë ushtarake kohezive dhe efektive.

“Shqiptarët nuk do mbesin spektatorë por do reagojnë për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre.  I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht NATO-s, të ndërhyjë për të adresuar këtë përjashtim sistematik dhe për të siguruar që Maqedonia e Veriut të mbetet e angazhuar ndaj vlerave demokratike dhe partneriteteve strategjike.”

 Sipas BDI, për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, asnjë shqiptar nuk mban pozitat kryesore në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut.

Sipas kësaj partie, zhvillime të tilla sugjerojnë një prirje drejt “udhëheqjes anti-NATO, pro-serbe dhe pro-ruse në ushtri”./abcnews.al

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›