E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët në Mal të Zi, më pak të drejta

Lideri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi (LD në MZ), Mehmet Bardhi, është i vetmi ligjvënës shqiptar që nuk e ndërron qëndrimin e tij lidhur me Kodin e ri zgjedhor malazias, i cili në formë propozimi deri të enjten duhet të arrijë në parlament edhe mbi këtë dokument të deklarohen kuvendarët.

”Me këtë ligj shqiptarëve u rrëmbehen të drejtat e arritura, mandatet e garantuara, vendvotimet e posaçme, si dhe përfaqësimi i tyre autentik”, ka deklaruar Bardhi, transmeton KosovaLive.

Bardhi e kundërshton kategorikisht versionin e shqyrtuar në Grupin punues, edhe pse Komisioni Venecian edhe OSBE kanë dhënë mendime pozitive.

Deputeti i partisë opozitare serbe, NOVA, Radoica Zhivkoviq, kërkon që të përcaktohet me Kodin e ri zgjedhor kufiri nëpërmjet të cilit një popull në Malin e Zi konsiderohet pakicë nacionale.

Por, anëtarët e grupit punues nga radhët e shumicës parlamentare nuk e pranuan këtë propozim, por nënvizuan se me këtë çështje duhet të merren krerët e partive politike.

Kryesuesi i Grupit punues për harmonizimin e Kodit të ri zgjedhor me Kushtetutën, Miodrag Vukoviq, sikur jep ultimatum se “deri të enjten duhet të përgatitet propozimligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve, kurse parlamenti mbi këtë akt duhet të deklarohet deri në fund të korrikut”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›