E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faji i këshilltarëve

Përgatitjet për finalizimin e pakos tenderuese për projektin “Kosova e re” po zvarriten nga këshilltarët e transaksionit.

Në mbledhjen e Komitetit Drejtues për këtë projekt, ministrja e Energjisë dhe e Minierave, Justina Shiroka-Pula, u ka bërë thirrje këshilltarëve të jenë të vëmendshëm ndaj obligimeve që ka Kosova në rrugën e integrimit evropian dhe që lidhen me domosdoshmërinë e zbatimit të “Acquis” të BE-së për energjinë.

“Këshilltarët e transaksionit duhet të kenë parasysh kërkesat e Programit të Qeverisë dhe Strategjisë së Energjisë 2009-2018, të dyja këto dokumente të rëndësishme të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë Ministrja Pula.

Për këtë çështje, ministrja Pula dhe përfaqësues të institucioneve tjera relevante janë takuar disa herë me përfaqësuesit e Komisionit Evropian.

Mirëpo, me gjithë pengesat, Komiteti Drejtues shpreson ta finalizojë draftin e kërkesës për propozime deri në fund të muajit korrik të këtij viti. Ky draft do t’i paraqitet më pas qeverisë për miratim dhe do t’i dërgohet në fillim të muajit gusht katër konsorciumeve të parakualifikuara për projektin “Kosova e re”.

Ndryshe në mbledhjen e Komitetit Drejtues janë diskutuar edhe çështje lidhur me vlerësimin e termocentralit “Kosova B” dhe mënyrën e identifikimit të masës së aksioneve të Kosovës në termocentralin “Kosova e Re”. Gjithashtu edhe vlerësimi i aseteve të mihjes së Re të Sibovcit dhe pjesëmarrjen sa më të madhe të Kosovës në partneritetin publik privat për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj mihjeje.

Kërkesë tjetër ishte përfshirja e projektit “Kosova e Re” të prodhimit të kombinuar të energjisë për të mundësuar lidhjen e Ngrohtores së Prishtinës me termocentralin “Kosova B” dhe Termocentralin e Ri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›