E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët në Maqedoni e duan luftën e 2001-shit në librat e historisë

Shkup, 14 gusht - Historianë shqiptarë, po edhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e dalë nga krahu i luftës, kanë shfaqur nevojën se lufta e 2001-shit duhet të shkruhet nëpër librat e historisë të shkollave fillore dhe të mesme te nxënësit shqiptarë. Siç pohojnë , pasi që kjo “luftë është pjesë e historisë e shqiptarëve dhe e gjithë popujve që jetojnë në Maqedoni” , shkruan sot Koha Ditore. Një reagim i tillë i shqiptarëve, bëhet pasi që figura të caktuara të kulturës maqedonase, këtyre ditëve u futën në librat shkollorë të klasave fillore. Historiani Vebi Xhemaili thekson se në Fakultetin ku ai ligjëron këtë lëndë, “luftën e 2001-shit e ka futur si lëndë apo si temë të veçantë për studentët”.
“Mendoj se historia e 2001-shit, duhet të jetë në arsimin e mesëm dhe në atë fillor. Pa marrë parasysh rezultatet e saj pozitive apo negative, në fund bëhet fjalë për çështjen kombëtare, por më rëndësi është se ajo ngjarje ka ndodhur. Për rezultate nuk flasim, por është mirë që të shënohet dhe madje rinia shqiptare të dijë për këtë luftë, që mos të na ndodhë si dje në 98-vjetorin e Shkupit që është festë mbarëkombëtare të dalin vetëm dyzet veta, derisa kjo është festë e të gjithë shqiptarëve, prej Shkodrës deri në Preshevë, jo vetëm e Shkupit”, ka thënë Xhemaili, duke shtuar se historianët dhe politikanët nuk i dinë sa duhet festat kombëtare.
Ndërkohë, në partinë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), vlerësojnë se gjithsesi që lufta e 2001 duhet të shkruhet nëpër librat e historisë, pasi që kjo luftë është pjesë e historisë e shqiptarëve dhe e gjithë popujve që jetojnë në Maqedoni.
“Në interes të së kaluarës është që edhe 2001-shi në të ardhmen të shpjegohet drejt, sepse erdhi te lufta dhe kuptohet se ajo pjesë e historisë, duhet të përcillet te gjeneratat e reja dhe kjo gjithsesi do të ishte në interes të vendit. Historia është histori dhe duhet të shkruhet dhe të mësohet si e tillë, pasi që ka ndodhur ndonjëherë në të kaluarën”, ka thënë deputeti i BDI-së Rafiz Aliti, njëherësh pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001, i njohur si komandat “Mësuesi”. 
Ndërkohë, historiani maqedonas, Todor çepriganov, vlerëson se konflikti i 2001-shit do të duhej të përmendej vetëm si një ngjarje, e cila ka ndodhur si fakt që atë vit ka ndodhur, mirëpo të zbërthehet se kush ka fituar dhe çka ka ndodhur mendoj se nuk nevojitet.
“Kështu mendoj, sepse nuk ka kaluar distancë e duhur kohore. Kanë kaluar vetëm 9 vjet dhe që të zbërthehet, duhet t’i kemi të gjitha dokumentet në bazë të të cilave do të sillnim përfundime. Emocionet akoma janë të freskëta, na duhen dokumente nga Brukseli, Londra, Nju-Jorku… që ta dimë se për çka është bërë marrëveshje atje. Ne e kemi dhe e dimë atë që na e kanë dhënë dhe çka kanë dashur që ne ta dimë, por tjetra mendoj se duhet të kalojë kohë prej 20 -30 vjetëve. Ka metodologji për përdorimin e dokumenteve, por koha tani për të shkruar për atë se si ka ndodhur dhe çka ka ndodhur, mendoj se është shumë e freskët për të hyrë në thelbin e konfliktit”, ka thënë çepriganov.
Sipas tij, për 9 vjet, nuk mund të flasim se kush ka fituar dhe kush ka humbur.
“Plagët janë shumë të freskëta dhe duhet të kalojë kohë që ato të shërohen, emocionet janë të forta nga të dy anët dhe mendoj se duhet të gjendet mundësi që të tejkalohen ato dhe më mos të përsëritet ndonjë konflikt tjetër”, ka theksuar historiani çepriganov.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›