E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pauzë e AAK-së pas deklarimit fillestar për “bisedimet sekrete”

Prishtinë, 14 gusht – Nëse dikush do që të numërojë njerëzit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët e dinë se si po zhvillon “bisedime sekrete” Qeveria e Kosovës me atë të Serbisë, atëherë s’i hyjnë në punë pesë gishtat e dorës, kanë thënë në këtë parti. Një anëtar i AAK-së, në kushte anonimiteti, i ka treguar gazetës se punën  e “bisedimeve sekrete” e dinë veç dy nënkryetarët e AAK-së: Blerim Shala dhe Ardian Gjini, pa qenë i sigurt nëse e di edhe Ahmet Isufi, shkruan sot gazeta Koha Ditore. “Bisedime ka dhe për to AAK-ja ka për të dhënë fakte shumë shpejt”, ka thënë zyrtari i lartë i AAK-së. “Por këtë çështje i dinë veç këta nënkryetarë, se sikur ta dinin edhe disa anëtarë të kryesisë, moti do ta kishin marrë vesh mediat”.
Nënkryetari i parë i AAK-së, që njëherësh e di punën e “bisedimeve sekrete me Serbinë”, Blerim Shala, është mjaftuar të premten vetëm me insistimin se “ka bisedime sekrete dhe se faktografia e AAK-së për to do të prezantohet javën e ardhshme”.
“Mos kini merak: do të kemi fakte, do të kemi të dhëna të bollshme, të cilat do ta konfirmojnë atë që e kemi thënë”, ka theksuar Shala në një konferencë shtypi. “Ne do ta bëjmë transparente gjithë faktografinë që e kemi. Ju kemi thënë që javën e ardhshme këtë do ta bëjmë me dije”.  
Pastaj, nënkryetari i parë i AAK-së ka përdorur në llogari të partisë së tij përgënjeshtrimet që kanë dalë nga ana e Qeverisë së Kosovës për një varg temash të ndryshme kohët e fundit.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni në gazetën e sotme Koha Ditore)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›