E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët në anijen e sulmuar nga Izraeli janë gjallë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se ish-zyrtari i Partisë së Drejtësisë, tashti pjesë e LDK-së, Fuad Ramiqi, është kosovari i vetëm që ka qenë në njërën prej anijeve të sulmuara nga forcat izraelite.

Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Lulzim Mjeku, ka deklaruar se Ramiqi është gjallë dhe nuk është as në listën e personave të plagosur, transmeton Koha Ditore.

Sipas Mjekut, Ambasada e Kosovës në Ankara po punon për të konfirmuar nëse në anije ka qenë edhe ndonjë kosovar tjetër. Ai ka shtuar se MPJ-ja pret që gjatë ditës të marrë informacione shtesë për këtë rast nga Ministria e Jashtme e Turqisë.

Edhe tre shqiptarët e Maqedonisë, të cilët ishin pjesë e ekipit në flotën ndërkombëtare, e cila u sulmua dje nga forcat speciale izraelite në ujërat ndërkombëtare në afërsi të Rripit të Gazës, janë gjallë, ka raportuar agjencia INA.

Jasmin Rexhepi (28), Sami Emini (57) të dy nga Shkupi, si dhe Sead Hasipi (50) nga Kumanova, ndodhen në paraburgim në Izrael, janë njoftuar familjarët e tyre sot në mëngjes nga Ambasada e Maqedonisë në Izrael.

Shqiptarët ishin pjesë e ekipit prej 686 udhëtarësh në anijet e karvanit humanitar që u sulmua nga forcat speciale të Izraelit. Ata ishin nisur në Gaza përmes një organizate humanitare turke.

Në sulmin e luftanijeve izraelite u vranë nëntë aktivistë propalestinezë, kurse dhjetëra të tjerë u plagosën.

Izraeli njoftoi se ka filluar sot procesin e dëbimit të qindra aktivistëve pro-palestinezë, të cilët u ndaluan në konvoj. Ministria e Brendshme tha se grupi i parë i 45 aktivistëve pro-palestinezë janë nisur drejt aeroportit në Tel Aviv.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›