Shqiptarët në vendet e Gjirit, mundësi aplikimi për pasaporta dhe karta identiteti në Abu-Dabi

TIRANË, 20 tetor /ATSH / Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me kompaninë “IdentiTek” sh.a., do të organizojë së shpejti një mision të posaçëm për aplikimin për pasaporta biometrike dhe karta identiteti pranë Ambasadës së Shqipërisë në Abu-Dabi (Abu Dhabi).
MEPJ bën të ditur se, përmes këtij shërbimi, synohet lehtësimi i procedurave për shtetasit shqiptarë që jetojnë në vendet e Gjirit, duke u kursyer kohë dhe udhëtime për marrjen e dokumenteve biometrike.
MEPJ u ka bërë thirrje qytetarëve të interesuar të regjistrohen përmes formularit online, në mënyrë që të vlerësohen nevojat e komunitetit dhe të organizohet sa më mirë misioni.
Afati i regjistrimit është data 30 tetor 2026. Të dhënat personale të aplikantëve do të trajtohen në mënyrë konfidenciale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
/e.xh/j.p/r.e/