Shqiptarët vrasin italianin me grushte
• Një shtetas italian mbeti i vdekur pas përleshjes fizike me tre emigrantë shqiptarë.Roberto Siri, 37 vjeç ka gjetur vdekjen pasi u qëllua me grushte dhe shkelma nga tre shqiptarët. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit të ditës së djeshme. Konflikti filloi në rrethana ende të paqarta në afërsi të diskotekës “By Spider” në provincën Valbormida në Savona. Aty ndodhej një grup prej tre emigrantësh shqiptarë të cilët pas një zënke me tre shtetas italianë janë përleshur fizikisht me grupin rival. Ngjarja është zhvilluar në dy episode të ndryshme ndërsa i fundit ka qenë tragjik për italianin 37-vjeçar, Roberto Siri. Rreth orës 04:30 të mëngjesit pas një keqkuptimi mes dy grupeve rivale, shqiptarët kanë ushtruar dhunë mbi italianët duke plagosur dy prej tyre. Italiani i tretë që bënte pjesë në grupin rival me shqiptarët, sipas mediave vendase ka shpëtuar çuditërisht pa asnjë dëmtim fizik nga përleshja e rrëmujshme. Pasi kishte ndodhur e gjitha kjo, dy italianët e plagosur gjatë sherrit me emigrantët shqiptarë janë çuar në urgjencën e spitalit të qytetit ku kanë marrë mjekimet e para dhe gjendja e tyre dukej drejt përmirësimit. Por ngjarja nuk ka përfunduar me kaq, konflikti ka hyrë në episodin e dytë të tij, i cili është mbyllur me vdekjen e shtetasit italian dhe shpalljen në kërkim të tre shqiptarëve të dyshuar si autorë të krimit. Mediat italiane aludojnë se shkak i sherrit mund të ketë qenë xhelozia e palëve për ndonjë femër ose përplasja për shpërndarjen e lëndëve narkotike në afërsi të diskotekës. Vrasja e italianitRoberto Siri dhe një miku i tij italian janë dërguar në spital pasi kishin marrë plagë të rënda nga përleshja me tre shqiptarët. Këta të fundit nuk janë mjaftuar me kaq, por kanë ndjekur tre italianët dhe kanë pritur derisa ata të dilnin nga spitali pasi morën mjekimet e para. Viktima e përleshjes po shoqërohej nga miqtë e tij për në shtëpi, pasi kishte dalë nga spitali kur u sulmua për herë të dytë nga tre emigrantët shqiptarë. Dhuna e ushtruar ndaj 37-vjeçarit italian kësaj here ka qenë vdekjeprurëse. Ngjarja ndodhi në orët e mëngjesit sapo tre italianët kishin dalë nga spitali “San Giuseppe di Cairo Montenotte”. Si pasojë e dhunës së ushtruar për herë të dytë ndaj tij, shtetasi italian ka mbetur i vdekur ndërsa miku tjetër i tij ka pësuar plagosje të rëndë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por tre emigrantët shqiptarë arritën të largohen. Ata janë shpallur në kërkim nga policia vendase, ndërsa mediat italiane i kanë vendosur në qendër të vëmendjes së tyre tre shqiptarët duke i akuzuar për brutalitetin e treguar. Autoritetet e rendit thanë se kanë nisur hetimet për shkakun e konfliktit mes dy grupeve rivale por nuk dhanë detaje përse kishte ndodhur përleshja. Hetuesit kanë marrë deklarime nga dy italianët që kanë shpëtuar si dhe nga disa klientë të diskotekës ku filloi konflikti. Salvatore Tomaselli, 44 vjeç, miku i italianit të vdekur po mbahet në polici, por ai nuk dha asnjë informacion për identitetin e tre shqiptarëve, siç duket nga gjendja e rënduar emocionale. Policia gjithashtu mori informacione edhe nga dëshmitarët okularë të përleshjes, të cilët dhanë përshkrime të paqarta për shkaqet e konfliktit mes grupit të shqiptarëve dhe italianëve.