E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani në Podgoricë nënshkruan paktin për ruajtjen e kufirit me Malin e Zi

• TIRANE - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, nënshkroi në Podgoricë, Marrëveshjen për Bashkëpunimin Policor Ndërkufitar me Malin e Zi.Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e vendit fqinj kreu i dikasterit të Brendshëm dhe delegacioni shoqërues zhvilluan një takim me ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Jusuf Kalamperoviç. Duke theksuar faktin se krimi i organizuar nuk njeh kufij, ministri shqiptar Nishani theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve, si një kusht për rritjen e sigurisë për qytetarët e të dy vendeve, por edhe si kontribut për sigurinë në rajon e më gjerë. Kreu i Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Jusuf Kalamperoviç tha pas nënshkrimit se me këtë marrëveshje u jepet një mesazh qytetarëve të dy vendeve se kufijtë do të jenë më të sigurt, e njëkohësisht u jepet një mesazh edhe atyre që janë në anën e kundërt të ligjit se tanimë u janë zvogëluar edhe më shumë mundësitë për veprimtaritë e tyre të paligjshme. Ministri i Brendshëm Nishani, u shpreh pas nënshkrimit të marrëveshjes se objektivat kryesorë të dokumentit janë: Goditja nëpërmjet operacioneve të përbashkëta e krimit ndërkufitar duke eliminuar çdo barrierë kufitare dhe së dyti, krijimi i hapësirave dhe kushteve për kalimin e lirshëm dhe të sigurt të kufirit për shtetasit e të dy vendeve. Nishani vlerësoi si moment mjaft të rëndësishëm në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar shqiptaro-malazez, fillimin së shpejti të punës për ndërtimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar në Muriqan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›