E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë të akuzuar për mbetjen e udhëtarëve në Aeroport

Pushimet për 1.656 kosovarë që jetojnë në Gjermani ishin “prishur” në fund kur kishin mbetur në Aeroportin e Prishtinës. Ata ishin detyruar të blinin bileta të tjera shumë të shtrenjta, pasi kompania spanjolle “Pronair”, me të cilën kishin ardhur në Kosovë, nuk kishte sjellë avionët për t’i marrë.

Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit nuk i kishte dëmshpërblyer ata, edhe pse kishte mundësi që me garancinë bankare prej 600 mijë eurosh që kishte lënë kompania “Kosova air BIZ” të kompensoheshin.

Pesë vjet më vonë Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë përgjegjës 7 persona për këtë rast, duke ngritur aktakuzë. Prokurori Ali Rexha ka dorëzuar javën e kaluar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër Ismail Berishës dhe Nexhat Balës, zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, tani Ministria e Infrastrukturës, për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, Besnik Mustafës, Selatin Ujkanit dhe Shefqet Qerkinit, zyrtarë të Bankës për Biznes në Prishtinë, për shpërdorim të pozitës zyrtare, dhe ndaj Sibush Hazirit dhe Hamzi Rrahimit, bashkëpronarë të agjencisë turistike “Air Kosova Biz”, për veprat penale mashtrim, falsifikim i dokumenteve zyrtare. Haziri akuzohet edhe për dhënie të ryshfetit.

Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat. Njëri prej tyre, Besnik Mustafa, i cili është djali i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk ka kurrfarë përgjegjësie penale në këtë rast si zyrtar i Bankës për Biznes që kishte nënshkruar një garanci bankare, pasi fillimisht ishte miratuar nga Bordi për kredi.

Në aktakuzën që ka siguruar “Koha Ditore”, prokurori Ali Rexha ka shkruar se të pandehurit Sibush Haziri dhe Hamzi Rrahimi në periudhën kohore prej 1 prill 2009 deri më 24 qershor 2009, kanë mashtruar të dëmtuarin Zeqir Smajli, “duke e bindur që ta vinte nën hipotekë patundshmërinë e tij në Ferizaj në vlerë prej 700.000 eurosh, në mënyrë që të merrnin garancinë bankare për sigurimin e një kompanie ajrore për transportin e udhëtarëve në relacionin Gjermani – Kosovë. Sibush Haziri është pronar, ndërsa i pandehuri Hamzi Rrahimi drejtor i agjencisë turistike “Air Kosova BIZ”. Ndërkaq Zeqir Smajli është pronar i agjencisë turistike “Kosova voyages” në Lozanë të Zvicrës dhe në Ferizaj.

Garancia ishte dhënë nga Banka për Biznes në Prishtinë në emër të agjencisë turistike “Air Kosova BIZ” dhe sipas Prokurorisë shërbente si mbulesë vetëm për aviokompaninë “Flaybaboo SA”.

Ata akuzohen se të dy të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të paligjshme dhe duke mos e njoftuar paraprakisht të dëmtuarin kanë tërhequr garancinë nga MTPT-ja tri herë. Pas tërheqjes e kanë dërguar në bankë dhe në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë zyrtarë të bankës i kanë vënë nën të njëjtën garanci bankare edhe tri aviokompani të tjera: “Pronair”, ”Corendon Airlines” dhe “Transavia Airlines”.

Më 7 gusht 2009, aviokompania “Pronair” ka dështuar që t’i bartte udhëtaret nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës për në Aeroportet e Dusseldorfit, Hamburgut, Hanoverit, Munchenit dhe Stuttgartit duke dëmtuar udhëtarët për 450.000, 00 euro.

Sibush Haziri akuzohet se disa ditë para datës 5 prill 2009 “i ka premtuar ose i ka dhënë ryshfet të pandehurit Nexhat Bala, udhëheqës i sektorit për rregullimin ekonomik në aviacionin civil në MTPT. Premtimi ose përfitimi material ka të bëjë me lejimin e kundërligjshëm të tërheqjes së gradacionit bankar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›