E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia e Bardhë, takim lidhur me kërcënimin global terrorist

Në Shtëpinë e Bardhë është mbajtur një takim i nivelit të lartë për shqetësimet lidhur me terrorizëm, që e ka shtyrë Uashingtonin të shpallë alarm global dhe të mbyllë përkohësisht ambasadat në gjithë botën myslimane.

Takimi i mbajtur mbrëmë vonë, erdhi pasi Interpoli e publikoi një alarm global të sigurisë lidhur me ikjen e qindra militantëve të al-Kaidës nga burgjet muajin e kaluar.

Ikje nga burgjet kanë ndodhur në nëntë shtete, përfshirë Libinë, Irakun dhe Pakistanin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen në Shtëpinë e Bardhë, por është informuar pas saj.

Në takim morën pjesë këshilltarja për siguri kombëtare, Susan Rice, sekretari i shtetit, John Kerry, sekretari i mbrojtjes, Chuck Hagel, dhe sekretarja e sigurisë së brendshme, Janet Napolitano.

Sot janë të mbyllura përfaqësitë diplomatike të Shteteve të Bashkuara në 17 vende dhe mund të mbeten të mbyllura për disa ditë.

Kanadaja ka mbyllur misionin e saj në Daka të Bangladeshit, ndërsa Britania dhe Gjermania i kanë mbyllur përfaqësitë diplomatike në Jemen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›