E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtëpia e Zajmëve, 17 vjet selia e të parëve të Nënë Terezës

TIRANE - Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë.

Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qënë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës. "Ata u vendosën në shtëpinë tonë si qeraxhinj në vitin 1946", i ka treguar ATSH-së disa vjet më parë djali i kësaj shtëpie, Fatos Zajmi, biri i profesor Ahmet Zajmi, patriot i ardhur në Tiranë nga Kosova.

Drania, nëna e shënjtores së madhe, e njohur nga të afërmit me emrin Loke, mbeti shumë shpejt e ve nga i shoqi dhe e lidhi jetën e saj me Agen, vajzen e madhe te saj. Ndersa Agia, e cila punoi si redaktore ne Radio-Tirana dhe më vonë si përkthyese në ambasadën jugosllave në Tirane, kur e hoqën nga puna, u detyrua të bënte punën e rrobaqepëses për të siguruar bukën e gojës. Lazri, i vëllai, iku përgjithmonë për të jetuar në Itali.

"Në këtë kohe Nënë Terezën e njihnim me emrin Gonxhe", sipas familjes Zajmi. "E dinim se ishte murgeshe dhe jetonte në Kalkuta. Letrat dhe fotografitë ishin të vetmit elementë që na njohën me të".

Familja Zajmi, e njohur ne Kosove për tradita patriotike, ndonëse ishte një familje myslimane, nuk pati asnjë ngurim të "strehonte" prane saj një familje katolike. Bile, vajza e kësaj familje u bë katolike vetëm për shkak të miqësisë së ngushtë që u lidh mes tyre. Dhe qeraja për strehim u "vol" vetëm për pak kohë, se ajo nuk mund t'i merrej njerëzve të familjes.

"Zoti të ka çuar ëngjell mbrojtës të nënës tënde", i shkruante në një leter Nenë Tereza motrës së saj Ages. Ndërsa ne një letër tjetër shkruante se "kur shkova për herë të parë në Kalkuta, duke hipur në një pajton, dëgjova fjalë shqipe". Me kalimin e viteve, ajo nga Gonxhe u bë Madre Tereza, e njohur në të gjithë botën, dhe e dhënë për të gjithë botën. Nënën dhe motrën nuk i pa kurrë.

Nëna e saj i shtynte ditët e varfërisë me rreshtat që bija e saj i shkruante nga pika të ndryshme të rruzullit ku ndodhej për të dhënë ndihmën e Zotit, thjeshtësinë, humanizmin, dashurinë.

Nënë e bijë u varrosën pranë njëra tjetrës në Varrezat e Sharrës, në periferi të kryeqytetit, në praninë e shumë pak të afërmve. Këmbët e zbathura të Nënë Terezës, futur në sandalet me një gisht, si të Krishtit, shkelen tokën shqiptare ku preheshin kockat e gjakut të saj vetëm në vitin 1989. Vetëm disa orë para se ajo të ngushëllohej me to, ishte kërkuar me ngulm dhe me forca policie varri i tyre...! "Atëhere nuk mundëm ta takonim dot", tregon Fatos Zajmi. "Shtëpia jonë ishte shtëpia e saj. Të tjerë duhet t'ia tregonin dhe duhet ta sillnin në shtëpinë e saj".

Në vitin 1991, kur Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri, dhe kur Shqipëria ishte hapur ndaj botës, njerëzit e shtëpisë Zajmi e takuan atë dhe i dhuruan shumë relike të nënës dhe të motrës së saj. "Ato i morën motrat dhe me siguri tani janë në Kalkuta", vazhdojne ata.

Kur Nëna e Madhe ndërroi jetë për të jetuar me shënjtërinë e saj për të gjithë jetët, shumë njerez vizituan shtëpinë e nënës që i dha botës, Nënë Terezën. Dhe siç është zakoni i shqiptarëve kur ndërrojnë jetë njerëzit e shtëpisë, u kanë nxjerrë të gjithëve kafe.Kjo shtëpi modeste me mure të vjetër dhe kopësht shumëvjeçar, pa dashjen e askujt, është një nga dëshmitë, vlera e të cilës i reziston çfarëdolloj kohe.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›