”Shtëpia e gjirokastritit i ka themelet në çati”, familja Hatika përcjell zanatin në 3 breza

Sekreti më i madh i banesës Gjirokastrite nuk janë muret, odat, tavanet apo penxheret. Çelësi që mban në këmbë banesën monumentale Gjirokastrite është çatia.
Mandej në Gjirokastër thonë se shtëpia e Gjirokastritit i ka themelet në çati”. Prandaj ustai i çative është personi i cili vlerësohet aq shumë nga banorët e zonës historike të mbrojtur nga UNESCO.
Ustai i familjes Hatika, e cila në 3 breza ka përcjell me dashuri dhe pasion këtë zanat të hershëm thotë se “çatitë e gurit janë thesari më i madh pas kalasë së qytetit”.
Pas viteve 90- të ustallarët nuk u shfaqën më mbi çatitë Gjirokastrite. Shumica e tyre emigroi dhe kjo bëri që disa nga banesat më të vjetra dhe më monumentale të rrënoheshin.
Dhe kjo ndodhi për shkak të mos mirëmbajtjes së çative. Të tilla kanë qenë banesat monumentale të kategorisë së parë si banesa Lolomani , banesa e Boçokalos, Kabilatët e shumë të tjëra. Por kjo gjë mori fund me rikthimin nga emigracioni i shumë ustallarëve ndër ta edhe vëllezërit Hatika.
Familja e mjeshtërve të mbulimit të çative Hatika nuk ka hyrë thjeshtë në historinë e qytetit por edhe në këngët që i këndonin banorët e Gjirokastrës.
Mjeshtri i çative Bledar Hatika është një pasuri më vete për Gjirokastrën. Zanati i tij i vështirë por aq i domosdoshëm për të ruajtur arkitekturën tradicionale gjirokastrite ka lënë gjurmë në shumë banesa dhe objekte monumentale në të gjitha lagjet e zonës historike, në Dunavat, Hazmurat, në Pazarin e vjetër, në kishat dhe xhamitë e qytetit.
Gazetare: Megi Mëhilli
/RTSH/