Shtëpia-muze e Dritëro Agollit, hidhen themelet për ndërtimin e godinës që do të funksionojë si muze

Janë hedhur themelet e para të shtëpisë muze që do të ndërtohet për nder të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, në fshatin e tij të lindjes, në Menkulas të Devollit.
Një investim me një vlerë prej rreth 20 milion lekësh që vjen si një bashkëfinancim i bashkisë Devoll dhe Këshillit të Qarkut Korçë.
Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë përfaqësues të pushtetit vendor, familjarë, mësues, bashkëfshatarë, miq e dashamirës të shkrimtarit.
“Është një projekt shumë i dëshiruar dhe shpresojmë që brenda afateve të përcaktuara në kontratë ky projekt të përfundoj dhe të vazhdohet me procedurat e tjera”, u shpreh Erjon Nexhipi, Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë.
“Kjo vepër nuk do të jetë vetëm për Devollin por do të jetë një vepër që do na përfaqësoj në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Eduard Duro, Kryetar i bashkisë Devoll.
Të afërm të poetit shprehen të kënaqur për nisjen e punimeve dhe thonë se e prisnin këtë moment prej vitesh, pasi Dritëroi e meriton të kujtohet e nderohet në vendlindjen e tij.
“Është me shumë rëndësi që të nderohet në Devoll sepse këtu ka lindur”, u shpreh i biri, Artan Agolli.
“Dritëroi iku që i vogël por Menkulasin nuk e harroi kurrë”, tha një i afërm i tij.
Punimet për ndërtimin e muzeut parashikohet të zgjasin 6 muaj.
Gazetare: GJ. Xhango
/rtsh.al/