E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia në udhëkryq

Në hyrje të lagjes Arbëria në Prishtinë, dikur ka qenë një urë, e cila vitin e kaluar është shndërruar në rrethrrotullim. Një pjesë e rrugës ka përfunduar, por punimet për tjetrën janë ndërprerë. Ky ndalim i punimeve nuk ka ndodhur rastësisht. Aty ndodhet një shtëpi. Fare pranë hekurudhës, e cila kalon në këtë rrethrrotullim. Në këtë shtëpi jetojnë dy pleq, çifti Aliu. Shtëpia e tyre është vetëm njëqind metra larg rrugës. Plaku, Salihu, dikur ka qenë punëtor i hekurudhës, për 43 vjet. Për këtë arsye, Hekurudha ia ka dhënë një pjesë të tokës, sa për të ndërtuar shtëpi.

“Toka është e Hekurudhës, e ne jemi këtu që 30 vjet. Si punëtor i tyre, më kanë ndihmuar duke ma ofruar këtë tokë”, shprehet Salihu për Express.

Faktin se truallin për shtëpi ia ka dhënë Hekurdhua, e konfirmojnë edhe zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje shoqërore. Por ata kanë një shpjegim pak më ndryshe. Rafet Çitaku, zyrtar për informim i Hekurudhave të Kosovës, tregon se Salihut i është dhënë trualli për një periudhë të shkurtër kohore.

“Duhet të merret parasysh se banesat e tilla të cilat gjenden nëpër stacionet hekurudhore, nuk e kanë tretmanin e banesave të banimit, të cilat Hekurudha dhe kompanitë e tjera ua kanë ndarë për banim punëtorëve të tyre”, thotë Çitaku për Express.

Sipas tij, këto banesa e kanë tretmanin e objekteve, të cilat Hekurudha i jep me qira dhe për këtë lidhen kontratat njëvjeçare me shfrytëzuesit e tyre. Ai thotë se në këtë rast, Salihu asnjëherë nuk i ka kryer obligimet e qirasë ndaj Hekurudhës.

“Në vitin 2005, personit në fjalë i është dërguar një kontratë nga Hekurudhat e UNMIK-ut për pagesën e qirasë në emër të shfrytëzimit të banesës, por i njëjti e ka refuzuar dhe nuk ka pranuar ta nënshkruajë kontratën, me të cilën përcaktohen obligimet e z. Aliu ndaj hekurudhës”, shprehet Rafet Çitaku. E, plaku ka një arsyetim për këtë. “Unë i kam dokumentet prej Hekurudhës që mund të qëndroj këtu, shtëpia është e regjistruar edhe në Komunë dhe jam i liruar nga tatimet, sepse prej se kam dalë nga puna, jetoj me ndihma sociale”, thotë Salihu.

Këtë çështje, ai thotë se duhet ta zgjidhin Hekurudhat e Kosovës. “Unë nuk lëviz nga këtu, derisa nuk bëhet diçka për neve, sepse nuk kemi ku të shkojmë”, thotë i vendosur Salihu. E shqetësuar se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre, është edhe Igballja, gruaja e Salihut. “Nuk e di se çfarë do të bëj nëse merret vendim për t’u larguar. Nuk kemi as tokë, as shtëpi. Komunës këto gjëra nuk i interesojnë se asnjëherë nuk kanë ardhur për të pyetur se a kemi ku të shkojmë, apo të na gjejnë një vendbanim, në kohën kur fillojnë ndërtimin e rrugës, të cilin e kanë lënë në gjysmë”, thotë Igballja për Express.

Ajo tregon se dikur kanë pasur një banesë, por në pamundësi që të paguajnë qiranë, drejtori i Hekurudhës, në atë kohë, ua ka ofruar tokën si ndihmë. “Shtëpinë na kanë thënë ndërtojeni, derisa ne t’ua zgjidhim problemin e banimit. Por me këtë çështje nuk janë marrë më kurrë”, shprehet Igballja. Por kështu nuk mendojnë zyrtarët aktualë të Hekurudhave të Kosovës. Rafet Çitaku shpjegon se ata nuk kanë asnjë obligim për zgjidhjen e çështjes së banimit për këtë çift.

“Komuna është ajo që po e merr pronën e Hekurudhave të Kosovës dhe po e bën rrënimin e këtyre objekteve për ndërtime që janë në interes të përgjithshëm, kështu që Hekurudha nuk ka asnjë obligim ndaj këtij rasti”, thotë ai.

Megjithëkëtë, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, shpjegon se kur të nisë ndërtimi i kësaj rruge, do të zhvillohet procedura pronësore juridike dhe aty ku preket prona private, do të kompensohet prej Komunës.

“Për pjesën e rrugës që ka përfunduar vitin e kaluar, janë kompensuar pronarët e tokave. Një gjë e tillë do të bëhet edhe për këtë pjesë të rrugës. Drejtoria e pronës do të merret me këtë rast dhe do të shqyrtohet procedura pronësore, në momentin kur afrohet përfundimi i këtij aksi rrugor”, deklaron Gashi për Express. Deri në fillimin e punimeve në këtë rrugë, kjo shtëpi do të vazhdojë të strehojë çiftin e moshuar, të cilët tash vetëm numërojnë ditët kur streha e tyre do të rrënohet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›