Shtesë mbi pagën për punonjësit e Forcave të Armatosura

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të ushtraakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura: oficerë aktivë, nënoficerë aktivë dhe ushtarë aktivë, kursantët dhe kandidatët për ushtarë.
Elementet përbërëse të pagës për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, me përjashtim të ushtarakëve aktivë të personelit akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura janë: paga bazë për gradë, që shpërblen vlerën relative të çdo grade, sipas hierarkisë së gradave dhe sipas viteve të shërbimit për oficerët aktivë, nënoficerët aktivë dhe ushtarët aktivë; shtesa për kushte të veçanta pune e shërbimi, që aplikohet në një vlerë të caktuar, bazuar në pozicionet e punës, kur ushtarakët e shërbimit aktiv punojnë në pozicione pune të një natyre të veçantë pune e shërbimi; shtesa për dëmshmëri shëndeti, që aplikohet në një vlerë të caktuar, kur ushtarakët e shërbimit aktiv punojnë në pozicione pune në kushte të vështira dhe të dëmshme për shëndetin.
Ndërsa elementet përbërëse të pagës për ushtarakët aktivë të personelit akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura janë: paga për titull akademik/gradë shkencore/kualifikim shkencor, që shpërblen vlerën relative të çdo pozicioni, sipas hierarkisë së pozicioneve të punës, në institucionet e arsimit të lartë publik; shtesa për vjetërsi në punë, që aplikohet për çdo ushtarak të shërbimit aktiv, të personelit akademik, në Akademinë e Forcave të Armatosura, bazuar në vitet e punës së çdo ushtaraku, dhe llogaritet në masën 0,5 % për çdo vit pune, por jo më shumë se 15 vjet; shtesa për kushte të veçanta pune dhe shërbimi.
Vendimi parashikon edhe masat e shtesës për kushte të veçanta pune e shërbimi për ushtarakët e shërbimit aktiv të personelit fluturues dhe mbështetës të fluturimeve, si dhe për ushtarakët e shërbimit aktiv në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Pozicionet për të cilat zbatohet kjo shtesë, në funksione operacionale, operacionale mbështetëse dhe mbështetëse, në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, përcaktohen në urdhrin e Kryeministrit për miratimin e strukturës e të organikës së kësaj agjencie.
Ushtarakët, funksioni i të cilëve përmban dy apo më shumë emërtime, që përfitojnë shtesë për punë të vështirë e të dëmshme në shëndet, trajtohen vetëm me një shtesë, sipas kësaj lidhjeje.
Po ashtu ushtarakët e shërbimit aktiv, në Njësinë e Mjekësisë Ushtarake, pranë Spitalit Universitar të Traumës, që janë të emëruar në pozicionet “drejtor”, “zëvendësdrejtor”, “shef shërbimi” apo “shef reparti”, shtesën për punë të vështirë e të dëmshme për shëndetin e përfitojnë sipas specialitetit dhe jo sipas pozicionit, ku janë emëruar.
Ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura, të cilët punojnë në pozicione, që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Forcave të Armatosura, pjesë të strukturave të TIK-ut, si dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i shkencave/Master profesional/Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Teknologji informacioni”, “Inxhinieri telekomunikacioni”, “Shkenca kompjuterike”, “Informatikë ekonomike” “Informatikë biznesi”, “Inxhinieri matematike informatike” apo “Inxhinieri matematike (në analiza sistemesh)”, përfitojnë shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën 7 500 lekë në muaj.
Kursantët, kandidatë për ushtarë, gjatë kohës që ndjekin kurset për t’u certifikuar “ushtar”, përfitojnë trajtim me pagesë në masën 8 000 lekë në muaj.
Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura nuk përfitojnë shtesa të tjera mbi pagë të përcaktuara me vendime të tjera të Këshillit të Ministrave.
/m.m/r.e/