E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shtetet e Bashkuara njoftojnë për anulimin e takimit Biden-Putin

Shanset për një zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë u ngushtuan pasi Shtetet e Bashkuara thanë se një takim midis Presidentit, Joe Biden dhe Presidentit rus, Vladimir Putin nuk do të jetë i mundur pas agresioneve të fundit të Moskës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve se një takim i propozuar i dy liderëve është jashtë tavolinës për momentin pas vendimit të Putinit për të njohur dy rajone separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura dhe për të dërguar trupa atje. Psaki nuk e përjashtoi një takim eventual të të dyve, por ajo tha se Biden nuk do të takohej me presidentin rus nëse Rusia nuk shtensionon situatën në Ukrainë duke tërhequr trupat e saj.

Kjo erdhi disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kishte anuluar një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov që ishte planifikuar të mbahej në fund të kësaj jave. Pavarësisht veprimeve të tij kundër Ukrainës, Putin këtë të mërkurë tha se vendi i tij ishte ende gati të kërkonte “zgjidhje diplomatike” për krizën, por ai shtoi se interesat e Rusisë nuk ishin të negociueshme.”Interesat e Rusisë, siguria e qytetarëve tanë , janë të panegociueshme për ne,” tha Putin në një fjalim.

Më 21 shkurt, Putin nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck.Presidetni rus  urdhëroi trupat ushtarake që të kryejnë, siç tha ai, “funksione paqeruajtëse” në të dyja rajonet. Rusia, prej kohësh, ka kundërshtuar lëvizjen e Ukrainës drejt institucioneve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Ajo ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes sipas marrëveshjes së bërë pas rrëzimit të ishBashkimit Sovjetik.  SHBA dhe NATO kanë refuzuar kërkesën ruse, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›