E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti i EULEX’it

Misioni i EULEX-it, i cili ka ardhur të vendosë rend dhe ligj në Kosovë, të mërkurën duket se shkeli vetë mbi të.

Zyrtarët e tyre kontrolluan Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Aeroportin e Prishtinës, derisa ai në krye të një delegacioni nisej për vizitë zyrtare në Turqi.

Neni 34 i Ligjit për Protokollin Shtetëror të Republikës së Kosovës saktëson se janë së paku katër zyrtarë të lartë të shtetit që mund të kalojnë pa u kontrolluar.

Presidenti, Kryeministri, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme mund të largohen në vizitë zyrtare pa kaluar kontrollin në Aeroport.

Por, në lidhje me kontrollin e bërë kreut të ekzekutivit të vendit, zëvendëskryeprokurori i EULEX-it, Johannes van Vreeswijk, ka qartësuar se askush nuk është mbi ligjin.

“As Hashim Thaçi nuk mund të jetë mbi ligjin”, citon Van Vreeswijk televizioni Klan Kosova. Sipas tij, incidentin në Aeroport e ka provokuar vetë Kryeministri Thaçi, duke mos iu bindur zyrtarëve të EULEX-it për kontroll.

Johannes van Vreeswijk e pranon se pas incidentit, Kryeministri e ka thirr në telefon.

“Më janë thënë disa gjëra nga Kryeministri”, është shprehur Van Vreeswijk pa saktësuar se çfarë i është thënë.

Në këtë rast, duket se misioni i EULEX-it në Kosovë ka vendosur të tregojë fuqinë e vërtetë të tij. Dy vjet pas vendosjes jo në tërë territorin e vendit, ashtu siç kishte deklaruar në fillim, ky mision u rikujton kosovarëve se kush është shefi i vërtetë këtu.

“Ashtu siç e dini edhe ju, EULEX-i ka disa funksione ekzekutive”, thotë Alexandra George, zëdhënëse e doganave të këtij misioni. Ajo këtë përgjigje e ka dhënë për Express, pasi i është kërkuar sqarim nëse policët e EULEX-it e kanë kontrolluar Kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, në Aeroportin e Prishtinës.

“Kjo do të thotë se ne mund të ndërmarrim aksione në disa fusha si korrupsioni, krimi i organizuar dhe krimet serioze financiare”, thotë George për Express. Ajo sqaron edhe një herë se në cilat shtylla EULEX-i ka këto fuqi ekzekutive. “EULEX-i ka mundësi të zbatojë këto fuqi ekzekutive në polici, drejtësi dhe dogana”, thotë zyrtarja e doganave të këtij misioni.

Por, me kontrollimin e kryeministrit të vendit, vetë EULEX-i duket se ka thyer ligjin, në emër të të cilit thirret aq shumë. Ky është Ligji për Protokoll të Shtetit të Republikës së Kosovës. Shefi shumëvjeçar i protokollit në Presidencën e Kosovës, Haki Merovci, jep një shpjegim të thjeshtë në lidhje me këtë çështje. Ai thjesht citon ligjin. Sipas këtij ligji të protokollit, janë katër figurat më të larta të shtetit, të cilët nuk u nënshtrohen kontrolleve në pikat kufitare, në këtë rast as në Aeroport. “Këta janë: Presidenti i Republikës, Kryeministri, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme”, thotë Merovci për Express. Sipas tij, këta zyrtarë, përmes kalimit të personave të rëndësishëm (VIP), mund të kalojnë pikën kufitare në Aeroport.

Por, EULEX-i edhe në këtë rast ka një përgjigje. Sipas tyre, këtë kontroll nuk e bëjnë vetëm ministrat e Qeverisë së Kosovës, por edhe vetë shefi i tyre Yves De Kermabo.

“Ne duhet të dimë se të gjithë udhëtarët që kalojnë nga aksioni i VIP duhet që valixhet e tyre t’i kalojnë përmes skanerit të sigurisë si pjesë normale e masave të sigurisë së Aeroportit”, thotë Alexandra George.

“Jo vetëm ministrat e qeverisë, por edhe Yves De Kermabo vetë, ashtu si të gjithë VIP-të e tjerë, kalojnë përmes këtij procesi sa herë që kalojnë përmes zonës VIP”, thotë kjo zyrtare, duke mos përmendur me emër Kryeministrin e vendit.

Ndërkohë, edhe vendet përreth Kosovës, si Shqipëria, pak a shumë e kanë njësoj të rregulluar këtë çështje. “Zyrtarët e lartë kalojnë nga salla e autoriteteve”, thotë Ridi Kurtezi, shef i protokollit të shtetit të Shqipërisë.

Sipas tij, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë dy salla VIP. Salla e parë është e rezervuar për kalimet e Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit, ndërkohë që ajo e dyta për ministra dhe deputetë.

Van Vreeswijk

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të EULEX, Johannes van Vreeswijk, ka thënë se tre persona janë të dyshuarit kryesorë në rastin Limaj. Sipas tij, disa nga ta pritet të arrestohen shumë shpejt. “Janë tre të dyshuar kryesorë për këtë rast”, i ka thënë KLAN Kosova u.d i kryeprokurorit të EUELX. Sipas tij, hetimet në rastin Limaj janë mjaft komplekse, por që kryeprokurori ka thënë se ka një progres të madh në lidhje me hetimet. Vreeswijk ka rrëfyer se zyrtarët e EULEX janë duke hetuar edhe 19 raste të tjera që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. EULEX po heton edhe 19 raste të tjera që dyshohen për korrupsion”, ka thënë Johannes van Vreeswijk. Kryeprokurori i EUELX ka përsëritur sërish se janë duke u hetuar edhe ministra të tjerë përpos ministrit të Transportit dhe Postë Telekomunikacionit. “Jemi duke hetuar edhe 19 raste që kanë të bëjnë me korrupsionin, përfshirë edhe ministra të tjerë”, ka thënë ai. Ai ka pohuar se EULEX nuk mërzitet nëse ministrat janë zyrtarë të lartë të partive politike në vend.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›