“Shtigje të pastra, pyje të mbrojtura”, aksion pastrimi në Parkun Kombëtar “Shebenik”

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon programi kombëtar “Shtigje të pastra, pyje të mbrojtura”, një nismë e ndërmarrë për mbrojtjen e mjedisit dhe mirëmbajtjen e shtigjeve turistike.
Aksioni i radhës u zhvillua sot në Shtegun e Biçikletave, në Parkun Kombëtar “Shebenik”, ku pjesëmarrës të shumtë u angazhuan në pastrimin e itinerarit dhe mbrojtjen e ekosistemit natyror.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi se kjo nismë synon jo vetëm një natyrë më të pastër, por edhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për ruajtjen e mjedisit dhe parandalimin e zjarreve në pyje.
Ai vlerësoi rëndësinë e Parkut Kombëtar “Shebenik”, duke e cilësuar atë një prej oazeve më të çmuara natyrore të vendit. Sipas Jaupajt, në këtë park ndodhet edhe Rrajca e pyjeve të ahut, ndër më të vjetrat në Europë, me sipërfaqe mbi 2300 hektarë dhe me moshë mbi 300-vjeçare, të përfshira në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që prej vitit 2017.
Në 26 janar të 2022, sipërfaqja e ekosistemit natyror “Shebenik”, i shpallur “Park Kombëtar”, është zgjeruar nga 33.894,25 hektarë, në 34.507,9 hektarë. Zona shtrihet në rajonin juglindor të vendit dhe përbën park ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut.
Parku i Shebenikut përfaqëson një destinacion të rëndësishëm për turizmin natyror dhe aventurën. Vizitorët frekuentojnë fshatin Llangë me banesat karakteristike prej guri, kishën e Koshorishtit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut dhe monumente të tjera natyrore e kulturore të zonës.
Zona ofron gjithashtu mundësi për alpinizëm, hiking, rafting dhe aktivitete të tjera sportive, ndërsa ruan edhe traditën e punimeve artizanale, qëndistarisë dhe punimeve në dru.
/r.e/