Shtohen thirrjet për zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi

Organizata e Konferencës Islamike iu bashkua thirrjeve ndërkombëtare për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi, si përgjigje ndaj sulmeve ajrore të besnikëve të Moamer Gadafit kundër pozicioneve të kryengritësve.
"Ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që ta bëjë detyrën e vet", tha sekretari i përgjithshëm i OKI-së, Ekmeledin Ihsanogllu, në hapje të samitit të jashtzakonshëm të organizatës 57 anëtarëshe në Xheda të Arabisë Saudite.
Franca dhe Britania kanë kërkuar autorizimin e Kombeve të Bashkuara për zonë të ndalim-fluturimit mbi Libi.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, gjithashtu ka theksuar nevojën për autorizim nga Kombet e Bashkuara.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se është kundër intervenimeve ushtarake, dhe shtoi se libianët "duhet vetë t`i zgjidhin problemet e tyre".
Më herët, presidenti Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s po i konsiderojnë opsionet ushtarake kundër Libisë për dhunën ndaj civilëve.
Ndërkohë, qeveria e Gadafit ka ndërmarrë sulme të reja ajrore kundër portit Ras Lanuf, pasi e shtyu ofenzivën e kryengritësve përgjatë brigjeve veriore.
Të hënën, forcat pro Gadafit gjithashtu e morën qytetin e afërt Bin Xhavad.
Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se një milion njerëz janë larguar nga Libia apo janë zhvendosur.