Shtrenjtimet nga importi
Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në muajin janar të këtij viti kanë qenë për 7 për qind më të larta se në janarin e vitit të kaluar. Më së shumti ngritje kanë shënuar buka dhe vajrat.
Ekspertët e ekonomisë tërheqin vërejtjen se nëse nuk do të ketë zhvillim ekonomik, inflacioni nuk do të ketë të ndalur as në vitin e ardhshëm.
Bazuar në të dhënat që posedon ESK-ja, krahasuar me një vit më parë, artikujt kryesorë ushqimorë, që kanë pësuar një përqindje drastike të ngritjes së çmimeve, janë buka e cila është shtrenjtuar me 33 për qind, si dhe vajrat e yndyrat me 40 për qind. Në përgjithësi, brenda 12 muajsh, inflacioni ka arritur shkallën 7.4 për qind, tregojnë të dhënat e Entit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ngritjen e inflacionit e sheh kryekëput si rezultat i varshmërisë së madhe të vendit nga importi dhe mungesa e zhvillimit ekonomik. Ai thotë se fatkeqësisht, rritja ekonomike në vend parashikohet vetëm në investimet që bëhen në sektorin publik si shtyllë e rritjes e ekonomike.