Qeveria dënon sulmin në autobusin me serbë
Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka dënuar sulmin mbi autobusin, me të cilën barteshin pelegrinët e komunitetit serb, që kishin ardhur për të kryer ritet fetare në kishën ortodokse në Gjakovë. Ky është një akt i patolerueshëm dhe i dënueshëm nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga të gjithë qytetarët e saj, thuhet në komunikatë.
Qeveria thekson se ky sulm është një goditje ndaj vlerave të tolerancës dhe të bashkëpunimit mes komuniteteve të ndryshme etnike në Kosovë, vlera këto që janë promovuar në vazhdimësi nga institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.
Qeveria do të vazhdojë vizionin dhe përkushtimin e saj, për të krijuar një ambient tolerant dhe të sigurt, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve për të ushtruar të lirë besimin e tyre fetar, të drejta këto të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me të gjitha ligjet e vendit, përfundon komunikata, me të cilën u bëhet thirrje organeve kompetente që menjëherë të ndërmarrin hapat e duhur që shkaktarët e këtij sulmi të nxirren para organeve të drejtësisë.