E Martë, 3 Nëntor 2026

Shtrenjtohen apartamentet në Sarandë, blerësit kryesorë mbeten të huajt

Qyteti bregdetar i Sarandës është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike, duke ndikuar pozitivisht edhe në tregun e pasurive të paluajtshme.

Të huajt çdo ditë e më shumë po preferojnë të kenë një shtëpi banimi në Sarandë.

Por sipas agjentit imobilar, Bledi Lapa kohët e fundit çmimet e apartamenteve po shënojnë një rritje të çmimit me 17-25% më tepër  krahasuar me vitet e kaluara.

“Nëse do bëjmë një krahasim, në disa zona jo tek të gjitha, nëse metri katror ka qenë 900 euro metro katror, tashmë në të njëjtën zonë jemi me 1100 metri katror” tha agjenti.

Një nga shkaqet kryesore të rritjes apo luhatjeve të çmimeve për apartamentet në Sarandë është edhe rënia e monedhës europiane.

“Pasi të gjitha kompanitë ndërtojnë dhe blejnë material ndërtues në vlerën lekë, vetë kompanitë që importojnë këto materiale i blejnë në vlerën euro dhe ndryshojnë raportet”, shpjegon ai.

Lapa u shpreh se ka patur më tepër kërkesa se nga çfarë mund të ofrojë tregu. Ndërkohë që sipas tij blerësit kryesorë mbeten të huajt si australian, polak, cek e japonez dhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë.

“Kërkesa është e lartë, oferta është e vogël. Kemi më shumë kërkesa nga çka ofertë tregu. Ka shqiptarë të diasporës pafund por edhe të huaj”, tha eksperti imobilar.

Shumica e të huajve që preferojnë të blejnë apartamente  në qytetin e Sarandës i marrin për qëllime banimi ose investimi.

Gazetare Ledja Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›