E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhen bisedimet për Hormuzin/Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin çmimin e naftës

Bisedimet për të ardhmen e ngushticës së Hormuzit janë shtyrë, në një tjetër goditje për përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme. Takimi mes Iranit dhe vendeve të Gjirit ishte parashikuar të zhvillohej në Oman, por palët nuk arritën konsensus. Në tryezë do të diskutohej edhe mënyra e menaxhimit të trafikut detar në këtë pikë strategjike.

Ndërkohë, situata është përkeqësuar edhe në Jemen, ku rebelët Huthi kanë marrë kontrollin e disa zonave dhe ishujve strategjikë pranë Detit të Kuq. Përparimi i tyre po afron luftimet me ngushticën e Bab el-Mandeb, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë.

Forcat qeveritare jemene, të mbështetura nga Arabia Saudite, po përpiqen të ndalojnë avancimin e Huthive, ndërsa mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga zonat e luftimeve. Kjo situatë po shton shqetësimet edhe për furnizimin me naftë, pasi sulmet kanë goditur infrastrukturën energjetike saudite dhe kanë detyruar mbylljen e një tubacioni të rëndësishëm.

Në të njëjtën kohë, sulmet ndaj anijeve në Gjirin Persik dhe tensionet rreth Hormuzit po rrisin pasigurinë në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent u ngjit sot mbi 107 dollarë për fuçi, duke reflektuar frikën për ndërprerje të mëtejshme të furnizimit. Dhe ndërsa diplomacia ngec, presioni mbi tregjet dhe ekonomitë e vendeve të tjera po rritet, duke e bërë krizën e Lindjes së Mesme një shqetësim përtej rajonit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›