Shtyhet afati i perdorimit te bonove

Qytetarët që kanë paguar për legalizmin e objekteve informale në pronësi të tyre me para në dorë dhe nuk kanë përfitur nga ndryshimet ligjore që u bënë më vonë, ku si mundësi pagese u fut bonoja e privatizimit, mund të përfitojnë tani. Sipas një vendimi të fundit të qeverisë, këta qytetarë mund të bëjnë një kërkesë pranë drejtorive rajonale të Agjencisë së Legalizmit dhe Urbanizimit të Ndërtimeve Informale. Pagesa me bono do të bëhet sipas ligjit në fuqi, duke marrë të rimbursuar në lekë pjesën e parave që është paguar më parë. Sipas vendimit, drejtoritë e ALUIZNI-t, në qarqe, njoftojnë me shkrim përfituesit për hapjen e llogarive bankare dhe vlerën monetare, për të cilën përfitojnë rimbursim. Personat, që përfitojnë, janë të detyruar të bëjnë pagesën me bono privatizimi të vlerës së rimbursueshme dhe të dorëzojnë pranë drejtorive në qarqe, dokumentacionin financiar, që vërteton kryerjen e pageses. KJo pagese bëhet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit me shkrim. Moskryerja e pagesës me bono privatizimi, brenda afatit të këtij vendimi, sjell humbjen e së drejtës së rimbursimit. Me paraqitjen e dokumentacionit financiar të duhur personave u lind e drejta për rimbursim. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e depozitimit të dokumentacionit financiar, që vërteton kryerjen e pagesës me bono privatizimi, bëhet i mundur transferimi i shumave të rimbursueshme në numrat e llogarive.