E Premte, 6 Nëntor 2026

Shtyhet dëshmia e ministrit Balla në komisionin hetimor për të dhënat TIMS

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Dëshmia e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla në Komisionin Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS është shtyrë.

Anëtarët kanë dalë nga salla ku ndodheshin prej orësh.

Kryetari i komisionit, Ervin Salianji tha se seanca me ministrin Balla u shty pasi disa deputetë duhet të pajisen me certifikatë sigurie, për shkak se kishte informacion të klasifikuar.

“PS kërkoi që mbledhja të zhvillohet me deputetët të papajisur me certifikatë sigurie, por të jetë e mbyllur për arsye të informacionit konfidencial, tani thonë ta shtyjnë sepse s’kanë certifikatë sigurie. Unë nuk marr përsipër të shkel ligjin që PS të mbulojë diçka që ka për të mbuluar”, tha Salianji.

“Tani u bojkotua për momentin nga PS. Dëshmitarët po presin në radhë për të dëshmuar. Ka një vendim të prokurorisë që ka sjellë Ervin Muçën që po pret në kat të parë. Sapo e morën vesh kërcyen nga belaja, sepse e dinë që ka një vendim të prokurorisë që përcakton konturet ligjore të kësaj çështjeje. Mbledhja është e hapur, vazhdimi bëhet sipas ligjit. Kush nuk e respekton, ne do vijojmë me depozitimin në SPAK për ata që braktisin detyrën”, tha ai.

Ndërsa, nënkryetari socialist i komisionit hetimor parlamentar për sistemin TIMS, Toni Gogu tha se, dëshmia e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla në komision nuk mund të vazhdonte pasi jo të gjithë deputetët kishin certifikatë sigurie.

“Kam katër orë që dëgjoj një maskaradë paligjshmërie dhe vishet edhe maska e shout. Parlamenti po heton një nga çështjet e sigurisë kombëtare. Kemi thirrur dëshmitarët dhe ata janë paraqitur”, u shpreh Gogu.

“Shteti ka ardhur sepse vlerëson se është një çështje sensitive. Në momentin që sekreti shtetëror duhet t’u paraqitet deputetëve rezulton që një grup deputetësh rezultojnë pa certifikatë sigurie. Kur kërkesat hidhen për votim janë procedurale. Në paligjshmëri të plotë, në vendimin e ndërmjetëm për dyer të mbyllura, kryetari futi edhe ca kërkesa të tjera”, theksoi Gogu.

“Në momentin kur kishte pyetje, ministri tha se kam informacion, por është sekret shtetëror. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë punën e komisionit. Ka mjaftueshëm deputetë që e kanë certifikatën e sigurisë. Mbledhja mund të vazhdonte dhe u kërkua që të gjithë të merrnin pjesë duke u pajisur me certifikatë sigurie”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›