Vrau policin në Fier, vetëdorëzohet në Polici autori

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Azgan Mërnica, autori i vrasjes së policit 28-vjeçar Novruz Cenaliaj është vetëdorëzuar në Polici.
Mërnica ishte shpallur në kërkim prej dy ditësh nga policia, pasi ai u arratis nga vendi ku ndodhi ngjarja, në fshatin Baltëz të Fierit. Bëhet e ditur se vetëdorëzimi i autorit erdhi pas negociatave nga babai dhe daja i tij.
Ndërsa konfirmoi vetëdorëzimin e Mërnicës, Policia njoftoi se Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë vijuar pa ndërprerë veprimet operacionale në terren me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.
Veprimet operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu. Paralel me veprimet operacionale në terren, policia ka zhvilluar negociata me familjarët e autorit për t’u vetëdorëzuar. Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore dhe procedurale me autorin e dyshuar, Azgan Mernica.Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit organizoi mesditën e sotme ceremoninë e lamtumirës për punonjësin e Policisë së Shtetit, inspektor Novruz Cenalia.
Ceremonia nisi me nderimin e inspektorit, në ambientet e teatrit të qytetit të Fierit dhe më pas vijoi në varrezat publike në fshatin Baltëz.
/m.m/