E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet procesi ndaj ish liderit serb të Bosnjes, Radovan Karadzic

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish Jugosllavinë në Hagë ka shtyrë procesin gjyqësor ndaj ish liderit serb të Bosnjes, Radovan Karadzic. Vetë Karadzic nuk u paraqit në gjyqin kundër tij.
Karadzic përballet me 11 akuza përfshirë atë për genocide, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.Të enjten, Karadzic pati deklaruar de do të bojkotonte seancën sepse i duhej më shumë kohe për të përgatitur mbrojtjen. Karadzic i ka mohuar akuzat, të cilat lidhen edhe me luftën në Bosnje në vitin 1990. 64 vjeçari është dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish Jugosllavinë, në Hagë, vitin e kaluar, pas 13 vitesh në arrati. Karadzic akuzohet për orkestrimin dhe për pjesëmarrje në vrasjen e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjës në 1995 në Sreberenicë. Në këtë proces, Karadzic vetëmbrohet pasi nuk ka pranuar avokatë. Ndërkohë, 150 myslimanë boshnjakë që i mbijetuan masakrës së Srebrenicës së 1995 do të demonstrojnë jashtë gjykatës në fillim të procesit gjyqësor ndaj Karadzicit. Ish lideri i serbve të Bosnjes, thotë se ka nevojë për 10 muaj të tjerë që të përgatisë mbrojtjen ndaj 11 akuzave ndaj tij. Dhjetëra viktima kanë udhëtuar nga Bosnja për të parë hapjen e këtij gjyqi. Por një nga personat që ata mendojnë se ishte përgjegjës ndodhet ende në arrati—kreu ushtarak i Karaxhiçit, gjenerali Ratko Mlladiç. Më herët një grup të mbijetuarish të Srebrenicës, thanë se ata kanë ardhur për t'i treguar botës se po kërkojnë të vërtetën dhe presin drejtësi nga Haga. Gjykata e Hagës ka thënë se pavarësisht akuzave për bojkot nga ana e Karadzicit, ata planifikojnë ta fillojnë gjykimin gjithsesi. Vëzhguesit e gjyqit vënë në dukje se gjykatësit mund t'i fillojnë procedurat edhe pa të, ose ta detyrojnë të pandehurin apo avokatin e tij të marrin pjesë. Karadzic pretendon se është i pafajshëm. Ai po kërkon prova nga disa vende për të vërtetuar se po mbronte vendin e tij. madje thotë se ka bërë një marrëveshje me diplomatin amerikan Richard Holbrook pas luftës, e cila do t'i jepte atij imunitet nga ndjekja penale nëse largohej nga jeta publike. Gjykatësit në Hagë kanë vendosur se edhe po të ekzistonte një marrëveshje e tillë, ajo nuk do të ndikonte tek gjyqi i Karadzicit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›