Shtyhet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Kurti kërkon kohë për bisedime për presidentin

PRISHTINË, 6 gusht/ATSH/ Seanca konstituive në Kuvendin e Kosovës u shty për kohë të papërcaktuar nga kryesuesi Dehari.
Deputetët bënë betimin, por mbeti në gjysmë zgjedhja e nënkryetarëve dhe kryetarit. Lideri LVV-së Albin Kurti nuk e propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për bisedime.
Bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së nuk kanë sjellë fryt deri tani. Partitë parlamentare kanë rreth dy muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje.
Në një vendim të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese tha se Kushtetuta e vendit i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik, kjo nënkupton se 30 ditë mbushen të premten, 7 gusht.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kërkoi shtyrjen e seancës së sotme konsituive me argumentin se konstituimi nuk bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarje të kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme dhe të paarsyeshme për qytetarët dhe të dëmshme për ekonominë.
“Andaj kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shanse bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”, tha Kurti.
Kurti tha se do bisedime edhe me PDK-në edhe me AAK-në, teksa tha se duhet dakordim i gjerë për presidentin, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria.
“Menjëherë pas certifikimit të rezultateve, ne filluam takimet për konstituimin e institucioneve. E falënderoj kryetarin e PDK-së për takimin, e falënderoj kryetarin e LDK-së për takimet. Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK. Rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK-në edhe me AAK-në, ndonëse refuzimi i tyre është i qartë. Zgjedhjet e 7 qershorit na u shkaktuan sepse në prill nuk u zgjodh presidenti. Ne duam të ecim përpara bashkërisht. Por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetushmëria për të cilën u betuam sot”, përfundoi Kurti. /KosovaPress/