E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtyhet seanca për dosjen Meta-Kryemadhi, avokati tjetër i ish-presidentit kërkoi të njihet me aktet

Seanca paraprake në GJKKO për dosjen me të pandehur ish-presidentin Ilir Meta, Monika Kryemadhin dhe tre persona të tjerë, u shty sërish. Arsyeja ishte kërkesa e avokatit të ri të Metës, Gylsen Zhllima, për t’u njohur me aktet e dosjes. Edhe vetë Meta që ishte i pranishëm në seancë kërkoi të marrë një pjesë të akteve që, sipas tij, nuk i janë vënë ende në dispozicion, kërkesa të cilat u pranuan nga gjykata.

Pas seancës, avokati Kujtim Cakrani deklaroi se Meta do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore.

Nga ana tjetër, këtë të enjte Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO.

SPAK ka mbyllur hetimet më 28 korrik dhe e ka çuar dosjen për gjykim në fund të gushtit, duke bashkuar tre çështje: aferën CEZ–DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›