Shtyhet vendimi për hetimin e rrugës Durrës-Kukës
Gjykata e Lartë vendos seancën e radhës në 10 prill TIRANE - Kolegji Penal i Gjykates së Lartë ka shtyrë dje për datën 10 prill, seancën për vendimin ndaj Ministrit Lulzim Basha dhe të akuzuarve të tjerë, për rrugën Durrës – Kukës. Tre javë më parë përballë Kolegjit Penal, të kryesuar nga gjykatësi Spiro Spiro, pala mbrojtëse e të akuzuarve kërkoi mbylljen e çështjes pasi sipas avokatëve, klientët e tyre nuk janë të pandehur pasi nuk u është komunikuar akuza nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, për abuzimet ndaj rrugës Rrëshen-Kalimash. Avokati Zef Nikaj deklaroi në seancën gjyqësore se Kolegji Penal nuk mund të shqyrtojë dosjen Basha pasi ka 2 vendime të njëpasnjëshme të gjykatave sipas të cilave prokuroria ka tejkaluar të gjitha afatet e hetimit. Dje ndërsa pritej të jepej vendimi për këtë kërkesë të të akuzuarve dhe avokatëve ët tyre, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka dhënë zyrtarisht si argument shtyrjen e shpalljes së vendimit për çështjen Basha, qenien ditë pushimi të këtij institucioni ditën e sotme. “Gjykata nuk funksionon në ditën e sotme pasi është caktuar pushim zyrtar për institucionet shtetërore”, ka qenë argumenti zyrtar i Kolegjit Penal. Të pranishëm në Gjykatën e Lartë, ishin dje të gjitha palët në proces, ish- ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe ish-drejtorin juridik në këtë ministri, Andi Toma, të shoqëruar nga përfaqësuesit e tyre ligjor si dhe dy përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme. Seancën e ardhshme, Gjykata e Lartë pritet të shpallë vendimin nëse çështja penale do të vazhdojë apo jo, pas pretendimeve të ngritura nga pala mbrojtëse për një sërë shkeljesh të rënda ligjore dhe kushtetuese të bëra nga prokuroria e Përgjithshme.
...