E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtypi francez masakër mediatike kombëtares

PARIS- Franca është në zi. Shtypi i këtij vendi nuk ka kursyer askënd pas takimit të humbur 2-0 me Meksikën, që thuajse i eliminon “Gjelat” nga Kupa e Botës. Tituj dramatikë dhe të ashpër, sidomos nga e përditshmja “L’Equipe” që i përkufizon futbollistët francezë si mashtrues, të pagdhendur, arrogantë dhe si të mos mjaftonte, edhe injorontë. Katër vjet më parë, L’Equipe nuk kurseu as Zidan pas finales së Berlinit, për atë goditje me kokë ndaj Materacit. Më pas, e përditshmja e njohur franceze kërkoi falje.

Por, këtë herë gjërat janë ndryshe. Një editorian tepër i rëndë në faqe të parë masakron “Gjelat”. “Kjo Francë, - shkruan L’Equipe, - është një fushë shkatërrimi, por që nuk e meriton trishtimin dhe lotët tanë, sepse do t’u jepnim shumë këtyre futbollistëve që nuk dinë të japin asgjë”. “Menefregizimi, - vazhdon L’Equipe, - është flamuri i këtyre lojtarëve, madje edhe sikur të prodhojnë një mrekulli dhe të fitojnë Botërorin. S’duhet të na e ndjejë për Domenek, i mbytur nga egoja e tij, i kaluar vetëm nga ajo e lojtarëve. U habitëm nga lënia në stol e Henri, rekordmenit të golave me kombëtaren. S’duhet të na vijë keq për njerëz si Riberi, Gallas, Anelka, që e mendojnë veten superiorë, por që janë të mbytur në arrogancën dhe injorancën e tyre”. Por, sipas “L’Equipe”, faji nuk është vetëm i Domenek dhe lojtarëve të tij. Ajo shkon edhe më tej duke sulmuar Federatën, që sipas saj mban emblemën e Gjelave, por është vetëm një pulëz pa kokë. “është koha, - përfundon kjo gazetë, - që të mbajmë qëndrim ndaj nihilitetit në çdo nivel dhe t’i urojmë fat të mbarë Lorant Blank dhe ndërkohë t’u bëjmë homazhet trombonëve që janë në gjendje të bëjnë konkurrencë vetëm me vuvuzelat”.

Por, edhe të përditshmet e tjera nuk falin askënd. “Le Parizien” shkruan: “Les Bluz nuk kanë më çfarë të bëjnë në Afrikën e Jufut. Po ashtu, Le Figaro. Gazetat e quajnë Riberi një individualist, konfuzionist dhe të paaftë për të qenë lider me driblimet e kota. Nota tepër negative edhe për Guvu, Abidal e Anelka, ndërsa deri te katra shkojnë Gallas, Diabi apo Zhinjak. I vetmi që shpëton është portieri Loris, por edhe kjo më shumë për simpati. Liberasion ndërkohë nuk kursen ironinë. “çiftoni Abidal e Gallas dhe krahasojini me dy komikë. Riberi organizator? Një ide e bukur për një njeri që s’di të japë një top. Guvu? Meriton vetëm një pikëpyetje”. Por, në Francë ka edhe nga ata që u është kthyer buzëqeshja, duke nisur nga Barteze, Lizarazu, Pires apo Zidane, ata që kanë fituar Kupën e Botës në vitin 1998 dhe që kanë kërkuar me forcë largimin e Domenek.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›