E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyrja e Kuvendit të PD, Berisha: Shkak, takimi me Papën

TIRANË- Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka deklaruar sot se shtyrja e Kuvendit të PD-së, nga data 12 në datën 14 dhjetor bëhet pasi ai do të takojë Shenjtërinë e tij, Papa Benedikti XVI.

"Midis dy evenimenteve të datës 12, natyrisht i dhashë përparësi këtij takimi të rëndësishëm, takimi im i dytë me Papa Benedikti XVI, që e pres me një interes shumë të madh, pasi Vatikani është një aleat shekullor i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për këtë arsye, në konsultim edhe me bashkëpunëtorët e mi, përcaktuam datën 14 si datën e zhvillimit të Kuvendit Kombëtar të PD-së, kuvend i cili është kuvendi i fitores"- tha Berisha sot gjatë një konference për shtyp.

Ai ka sqaruar se Kuvendi organizohet në dy faza; faza elektorale ku u shpall platforma e Shqipërisë evropiane, platformë e cila mori votëbesimin e plotë të shqiptarëve dhe, faza tjetër për të marrë të gjitha vendimet.

"Sovrani na dha mundësinë që të mblidhemi në kuvendin e fitores. Kjo nënkupton një vlerësim të madh të punës së bërë, por mbi të gjitha, një përcaktim dhe qartësim të detyrave dhe detyrimeve, për të kapur horizontin e ri, horizontin e Shqipërisë evropiane, brenda vitit 2013, brenda këtij mandati. Kjo do të thotë përgatitja e Shqipërisë për vendimin përfundimtar të 27 apo 28 vendeve anëtare të BE, sepse shpresoj që Kroacia do të jetë anëtarësuar deri atë ditë, por ndoshta edhe vende të tjera. Hipotezat e tjera lidhur me kuvendin e PD-së janë të pavërteta"- ka thënë ai.


Kryesia e PD-së kishte vendosur të shtunën e 12 dhjetorit si ditën kur do të mblidhej kuvendi zgjedhor ku dhe do të votohet për njeriun që do të drejtojë demokratët. Ndërkohë, deri tani dihet se kreu aktual i PD-së Sali Berisha është i vetëm në këtë garë.


Kuvendi do të zgjedhë me 14 dhjetor Këshillin Kombëtar të kësaj force politike, nga i cili do të dalin dhe anëtarët e kryesisë si dhe postet kryesore të saj, 2 nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›