E Diel, 1 Nëntor 2026

Shugurov-serbëve: Dilni në zgjedhje, ose e pësoni si në Kroaci

PRISHTINE- Shefi i Zyrës së Federatës Ruse në Prishtinë, Andrey Yurjevic Shugurov, i zhgënjeu serbët e veriut të Kosovës, kur u tha të dalin në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat do të mbahen më 3 nëntor.

"Vëllai rus" tha se në rast të bojkotit, “serbët mund të përjetojnë skenarin e njëjtë si në Krainë (Kroaci)”.

Vesti shkruan se kjo ndodhi të dielën, në Zubin Potok, në një manifestim, teksa diplomati rus me raki bëri dolli me qytetarët dhe politikanët lokalë. Nga burimet e Zyrës ruse jozyrtarisht thuhet se gjithçka është thënë “me raki, në bisedë miqësore dhe shumë të besueshme”.

“Jemi tërësisht të shokuar dhe të zhgënjyer. Praktikisht na bindi që të dalim në votime. Disa herë e përsëriti se nëse nuk e bëjmë këtë, mund ta pësojmë si serbët nga Kraina. Nga Rusia nuk kemi pritur një qëndrim të tillë, pasi ajo nuk e ka njohur Kosovën”, thotë për Vesti një serb i pranishëm në këtë bashkëbisedim.

Ka nga ata që thonë se Shugurov ishte i dehur kur iu afrua tryezës dhe se “ka folur rakia” atëherë kur ka thënë që të mos i bojkotojnë zgjedhjet e shpallura nga presidentja e Kosovës.

Deputeti Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) në Kuvendin e Serbisë, Marko Jaksic, thotë se sjellja e Shugurovit e ka irrituar dhe se është jodiplomatike.

“Kam verifikuar nëse informacioni është i saktë, e për fat të keq u binda se po. Megjithatë, ishte një gosti dhe unë mendoj se ishte në gjendje të dehur, prandaj deklarata të tilla nuk i marr seriozisht duke ditur se Rusia është një shtet serioz që nuk do të merret me politikat që shpijnë tek krijimi i edhe i një shteti shqiptar në Ballkan, kur dihet se ia ka vënë veton planit të Ahtisaarit”, thotë Jaksic.

Zlatibor Dordevic, president i Shoqatës Serbia e Vjetër, thotë se është i habitur me porositë e Shugurovit.

“Jam i sigurt se ky është qëndrimi i tij personal dhe se kështu nuk mendon Moska zyrtare. Jam i sigurt se Rusia nuk do të ndërhyjë në vendimin e serbëve lokalë”, thotë Dordevic i cili nga presidenti rus, Vladimir Putin, kishte kërkuar që serbët e veriut të Kosovës të marrin nënshtetësinë ruse.

Disa serbë të tjerë besojnë se Shugurov nuk tha asgjë që nuk është, sepse Rusia vazhdimisht deklaron “se do të mbështet gjithçka prapa së cilës qëndron Beogradi zyrtar”.
(m.a/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›