Shuhet Pashko Gjeçi, shqipëruesi i Dantes, Homerit, Gëtes
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kanë bërë homazhe mbi trupin e pajetë të njeriut që bëri të fliste shqip Dante Aligierin, Homerin e Gëten. Kryeministri Berisha vlerësoi veprën e Pashko Gjeçit dhe tha në mesazhin e tij për mediat se gjuha shqipe, përkthimi, bota e letrave dhe e mendimit të kombit shqiptar ndahet sot me një prej figurave më të shquara, me një korife të vërtetë të punës intelektuale, me burrin që bëri të flasin shqip kryeveprat e mëdha të letërsisë klasike. “Pashko Gjeçi u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të ndritur, një emër të madh, emrin e një prej shqiptarëve më të shquar, një gjeniu të vërtetë në shqipërimin e veprave kryesore antike greke e romake. Ai lë mbrapa shembullin e ndritur të përkushtimit të njeriut ndaj vlerave të familjes, shoqërisë dhe kombit”, theksoi kryeministri.Gjatë homazheve, edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli nderoi përkthyesin e madh të letrave. Gjithashtu Presidenti i Republikës Bamir Topi i ka shprehur sot ngushëllimet familjes Gjeçi për ndarjen nga jeta të përkthyesit dhe linguistit të shquar, Pashko Gjeçi.