E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shuhet ish sekretarja amerikane e shtetit Albright

Ish-Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, është ndarë nga jeta të mërkurën e 23 Marsit në moshën 84-vjeçare. Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter. “Ajo ishte e rrethuar nga familjarët dhe miqtë”, u tha në deklaratën e familjes Albright.

Albright u lind në Pragë të Çekosllovakisë së atëhershme më 15 maj 1937. Së bashku me familjen e saj shpërngul në SHBA më 1948. Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e ish-presidentit Bill Clinton.

Albright ishte sekretare në kohën kur në Kosovë u zhvillua lufta. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe. Në nderim të punës së saj, në Prishtinë vite më parë është ngritur edhe një bust i saj. Ajo ishte Sekretare e Shtetit në periudhën 1997-2001. Albright vizitoi Kosovën në korrik të vitit 1999, një muaj pas përfundimit të luftës. “Duke u ngritur kundër ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviçit, i kemi ulur gjasat për një vullnet të ri të Millosheviçit. Duke ndërtuar paqen në Kosovë, ne do të ndihmojmë në stabilizimin e Ballkanit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë në një Evropë të tërë dhe të lirë”, ka thënë atë kohë Albright.

Albright ishte sekretarja e 64-të e Shtetit. Për shkak të punës së saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 ishte nderuar me Medaljes Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA. Albright pati njw ndikimi tw madh global,  i cili krahasohej me atë të Margaret Thatcher në Britani.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit të trishtë për ndarjen nga jeta të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Përmes një mesazhi, Rama thekson se Albright, ishte gruaja që mbikëqyri rrugën e lirisë së Kosovë.”Lajm i trishtueshëm ndarja nga jeta e Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruaja që mbikëqyri rrugën e lirisë së Kosovës #RESPEKT”, shkruan Rama. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se është e tronditur nga lajmi për vdekjen e Albright, e cila tha se ishte “mike e madhe e Kosovës”. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Albright ishte një grua e “mrekullueshme, me moral të pakompromis për SHBA-në, një mike e Kosovës deri në fund”. “Do të na mungosh zonja sekretare”, shkroi Kurti në Twitter.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›