E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet mbreti i popit, Michael Jackson

Mbreti i popit, Michael Jackson vdiq në moshën 50-vjeçare në një spital të Los Angelos pasi pësoi një infarkt në zemër në shtëpinë e tij.
Këngëtari i lindur në Gary të Indiana, djali i Joseph dhe Katherine Jackson, ishte i shtati nga 9 fëmijët e çiftit.
Karriera e tij filloi që në moshë të re si pjesë e " The Jackson 5", një grup i përbërë nga Jackson dhe vëllezërit e tij Jackie, Tito, Jermaine dhe Marlon.
" Jackson 5" ishte një fenomen global dhe prodhoi këngë hite se "ABC" dhe "I'll Be There,", një këngë që më vonë do ta rirealizonte Mariah Carey në vitet '90.
Në vitin 1971 Jackson filloi karrierën e tij solo me "Got to Be There" e cila ishte pjesë e 5 hiteve më të mira.
Karriera e Jackson u rrit në vitet 1980 ku ai u bë një figurë dominuese në muzikën më të përhapur. Disa nga albumet e tij u shndërruan në albumet më të shitura botërore si: "Off the Wall" (1979), "Thriller" (1982), "Bad" (1987) dhe "Dangerous" në vitin 1991.
Përsa i përket jetës personale të yllit, ai ishte fillimisht i martuar me vajzën e Elvis Presley, Lisa Marie Presley, në një lidhje bashkëshortore që zgjati më pak se 2 vjet.
Çifti u martua në maj të 1994 dhe Presley kërkoi divorcin në janar të 2006.
Vetëm 10 muaj më vonë, në nëntor të 2006, Jackson u martua për herë të dytë me Deborah Rowe. Kjo martesë përfundoi me një divorc në 1999.
Jackson la pas 3 fëmijë të quajtur Paris Michael, Prince Michael i dhe Prince Michael II
Jeta e yllit të pop-it jo pak herë ka qënë e dëmtuar nga akuzat për abuzim seksual me minorenë dhe nga vëmendja e mediave për jetën e tij të çuditshme.
Në nëntor të 2006 bëri daljen e tij të parë publike që nga gjyqi në "Çmimet botërore të muzikës" në Londër.
Në shkurt të 2008 Jackson lëshoi në treg albumin e tij të fundit " Thriller 25", me rastin e 25 vjetorit të publikimit të " Thriller", i cili u prit me një sukses të jashtëzakonshëm në kopjet e shitura.
Së fundmi ai ishte duke organizuar realizimin e turneut të tij, në Britaninë e Madhe.
Michael Jackson ishte një nga legjendat më të mëdha muzikore të të gjitha kohërave me një shitje rekord albumesh me vlerë rreth 750 milionë dollarë dhe fitues i 13 çmimeve " Grammy".

Vdekja e Jackson, dhjetra njerëz jashtë spitalit
Dhjetra njerëz kanë dalë menjëherë në ambjentet jashtë spitalit ku ndërroi jetë Michael Jackson.Fansat e yllit të popit me lotë në sy përjetojnë ndarjen nga jeta të një prej legjendave të muzikës botërore.

Autopsi dhe hetime për vdekjen e Jackson

Mjeku ligjor i Los Angeles-it ka njoftuar një autopsi për të mësuar shkaqet e sakta për vdekjen e yllit të pop-it, Michael Jackson. Mjeku ligjor, ka deklaruar se Jackson ndërroi jetë në 14.26 me orën e Los Angeles. Policia ka hapur hetimet edhe pse deri tani asgjë nuk të bën të mendosh për një krim. Agjentët po flasin me të afërm, miq dhe mjekë për të kuptuar se çfarë ka shkaktuar vdekjen e mbretit të pop-it , me 400 milionë dollarë borxhe në vigjilje të turit të tij botëror.

Lisa Marie Presley, e tronditur për vdekjen e ish-bashkëshortit
Lisa Marie Presley, e cila ishte e martuar me Michael Jackson për dy vjet me radhë ka deklaruar se është e "tronditur", për vdekjen e këngëtarit. "Jam totalisht e tronditur dhe e trishtuar për vdekjen e Michael-it", është shprehur vajza e këngëtarit legjendar, Elvis Presley. "Dashuria ime shkon për fëmijët dhe familjarët e tij, tha Lisa Marie Presley.

Spielberg: "Ishte një legjendë"
"Ishte një legjendë". Kështu, regjisori, Steven Spielberg kujton Michael Jackson. "Siç nuk do të ketë asnjë tjetër", shtoi Spielberg. "Talenti i tij, mrekullia e tij dhe misteri i tij e bënin atë një legjendë", theksoi regjisori.

Liza Minelli: Do të më mungojë çdo ditë
"Do të mungojë çdo ditë të jetës sime. Ishte një person shumë i sjellshëm dhe u mrekullueshëm. Ishte një nga artistët më të mëdhenj që kanë ekzistuar. E doja shume". Kështu ka deklaruar Liza Minelli pas vdekjes së Michael Jackson.

Madonna:"Nuk pushoj dot së qari"
"Nuk pushoj dot së qari, e kam admiruar gjithmonë Michael Jackson". Kështu ka komentuar Madonna vdekjen e popstarit. "Bota ka humbur një nga më të mëdhenjtë e saj, por muzika e Jacskon do të jetojë gjithmonë. Mendimet e mia janë për 3 fëmijët e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes. Zoti i bekoftë", është shprehur Madonna.

Britney Spears:Prisja me padurim ta shihja në koncertin në Londër
Këngëtarja Britney Spears është shprehur se priste me padurim të shihte koncertin e Michael Jackson në Londër. "Ai ka qenë frymëzim për mua gjatë gjithë jetës sime. Jam e pikëlluar për vdekjen e tij", tha Spears.

Cher: Michael, këndonte si askush tjetër
Këngëtarja Cher ka vlerësuar Michael Jackson si një këngëtar të madh. "Ai mund të këndonte si askush tjetër. Jam e trishtuar për largimin e tij nga jeta", tha Cher.

Dion: Jam e shokuar nga vdekja e Jackson, ishte idhulli im
Këngëtarja Celine Dion pas vdekjes së Jackson është shprehur "Jam e shokuar. Jam e dëshpëruar nga kjo tragjedi. Michael Jackson ka qenë një idhull në gjithë jetën time.

Usher: Nuk do isha artisti që jam sot pa ndikimin e Michael-it Ylli i muzikës R&B, Usher pas vdekjes së Jackson ka deklaruar " Nuk do të isha kurrë artisti dhe perforumuesi që jam sot pa ndikimin e Michael. Ai thyeu barrierat, legjenda Michael Jackson nuk do të harrohet kurrë", ka thënë Usher.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›