E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet zjarri në Vranisht, u angazhuan dy helikopterë dhe dy avionë

TIRANË, 28 gusht/ATSH/  Zjarri që përfshiu zonën e Vranishtit në Bashkinë Himarë është përballuar falë ndërhyrjes së strukturave të emergjencave, forcave zjarrfikëse dhe mbështetjes ajrore.

Kryetari i Bashkisë Himarë Vangjel Tavo shprehu mirënjohjen për të gjitha strukturat dhe banorët që u angazhuan në terren për shuarjen e flakëve dhe menaxhimin e situatës.

“Një falënderim i veçantë për Shërbimin Zjarrfikës, për ndërhyrjen e menjëhershme dhe punën e palodhur në terren; Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, për kontributin në menaxhimin dhe sigurinë e situatës; punonjësit e NSHP-së dhe punonjësit e Drejtorisë së Pyjeve, të cilët, përballë terrenit të vështirë, ndërhynë me pompa shpine dhe mjete rrethanore; Prefekturën për koordinimin dhe mbështetjen institucionale dhe mbi të gjitha, banorët e zonës, të cilët u bënë pjesë aktive e përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, duke dëshmuar edhe një herë solidaritetin dhe përgjegjësinë e komunitetit”, tha Tavo.

Për shkak të terrenit të vështirë, punonjësit përdorën edhe pompa shpine dhe mjete rrethanore për të kufizuar përhapjen e flakëve.

Bashkia Himarë vlerësoi bashkëpunimin dhe koordinimin mes të gjitha strukturave, duke theksuar se ndërhyrja bëri të mundur përballimin e situatës dhe mbrojtjen e territorit dhe komunitetit.

“Një falënderim i veçantë dhe i posaçëm për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat iu përgjigjën në kohë rekord kërkesës për ndërhyrje, duke angazhuar 2 helikopterë dhe 2 avionë, një mbështetje vendimtare në përballimin e situatës. Falë këtij bashkëpunimi dhe koordinimi të të gjitha strukturave, u bë e mundur përballimi i situatës dhe mbrojtja e territorit dhe komunitetit. Mirënjohje për çdo njeri që ishte në terren. Në momente të tilla, forca jonë është bashkëpunim”, theksoi Tavo. /e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›