E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuplakë treshe Serbisë

Kroacia, Bullgaria dhe Hungaria thanë se po njohin Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Dëshpërim në Beograd

Kroacia dhe Hungaria njoftuan dje zyrtarisht, njohjen e Kosovës si një shtet të pavarur. “Qeveria ka pranuar vendimin e parlamentit të Kosovës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt”, - thuhej në deklaratën e djeshme të qeverisë së Zagrebit. Kryeministri kroat, Ivo Sanader, tha se është i vetëdijshëm që ky vendim “ishte i vështirë për t’u kapërdirë nga Serbia”, por se ai nuk pret një përkeqësim të marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes dy vendeve. Por menjëherë pas këtij vendimi, zëvendëskryeministri kroat, Slobodan Uzelac, një serb etnik, i dorëzoi Sanaderit dorëheqjen e tij në shenjë proteste. Kështu, pas Sllovenisë, Kroacia është e dyta ish-republikë jugosllave që njeh pavarësinë e Kosovës. Në Budapest, Ministria e Jashtme deklaroi se në një qëndrim të përbashkët me pjesën më të madhe të vendeve të BE-së dhe NATO-s, Hungaria vendosi që pavarësia e mbikëqyrur mund të jetë mënyra më e mirë për të zgjidhur krizën. Kështu, dy prej fqinjëve të Serbisë e njohën dje zyrtarisht shtetin e Kosovës, ndërsa të njëjtën gjë pritet të bëjë sot edhe Bullgaria, një tjetër vend ballkanik. Ministria e Jashtme bullgare njoftoi se Sofja do ta njohë sot zyrtarisht Kosovën, e cila përshkruhet në deklaratë si një unike. Të tre vendet kanë bërë të qartë se do të mbështesin përpjekjet e BE-së dhe NATO-s për të ndërtuar demokracinë në Kosovë. Dokumenti i tyre i përbashkët shprehu shpresat që Beogradi do të vazhdojë të mbajë “orientimin e tij evropian”. Menjëherë pas vendimit të Zagrebit, Budapestit dhe Sofjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës, rinisën përpjekjet diplomatike të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kërcënimet e Beogradit për “hakmarrje” ndaj këtyre vendeve. Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, duke folur nga Athina, u drejtoi një apel dramatik vendeve të rajonit që të mos njohin pavarësinë e Kosovës. “Në qoftë se një numër i madh shtetesh do ta njohin pavarësinë e Kosovës, atëherë do të krijohet një realitet i ri i rrezikshëm në rajon”, tha Jeremiç në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen e tij greke, Dora Bakojanis. E vetmja pikëpamje unike e elektoratit serb, sipas Jeremiçit, që më 11 maj do të vendosë “për integrimin e tij në Evropë apo izolimin”, është mospajtimi kategorik me pavarësinë e Kosovës. “Kushdo që të fitojë në zgjedhjet e 11 majit, do të vazhdojë të ndjekë politikën e vendosur për Kosovën”, u shpreh ai, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të punojë për “një zgjidhje kompromisi” nën flamurin e OKB-së. Shefja e diplomacisë greke, Bakojanis, ishte sigurisht receptuesja e parë e drejtpërdrejtë e apelit të Jeremiçit, edhe pse mysafiri serb e falënderoi për faktin se “Greqia nuk e ka njohur dhe nuk do ta njohë së afërmi pavarësinë e Kosovës”. Ajo u mjaftua të theksojë se u “informua në mënyrë analitike për qëndrimet e vendit të tij në çështjen e Kosovës”. Më pas, ministrja e Jashtme greke drejtoi apel “për vetëpërmbajtje në Mitrovicë” dhe kërkoi “përgjegjësi dhe bashkëpunim të të gjithë vendeve rreth një objektivi të përbashkët: stabilitetit të rajonit”. “E ardhmja e Ballkanit është një dhe unike, në familjen evropiane”, e cila “nuk mund të imagjinohet pa Serbinë”, tha Bakojanis, duke i përcjellë edhe një herë homologut të saj serb vullnetin e samitit të fundit evropian “për marrëdhënie të ngushta dhe esenciale” me Beogradin. E përqendruar në perspektivën evropiane të Serbisë, deklarata e Bakojanit kishte sigurisht dhe kuptimin e një apeli indirekt ndaj Beogradit, për njohjen e realitetit të postpavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›