E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iraku s'ia vlente

Për amerikanët, lufta në Irak ishte një gabim, ndërsa për presidentin Bush është tashmë një fitore strategjike

Amerikanët morën një mësim nga Vietnami: të mos numëronin viktimat në radhët e civilëve. Si rezultat, askush sot nuk e di me saktësi se sa irakianë janë vrarë në këto 5 vjet që nga pushtimi i vendit. Raporte të ndryshme vlerësojnë se shifra e viktimave është mes 100 mijë dhe 1 milion, dhe tashmë çështja është shndërruar në një “futboll politik”, ku nga njëra anë administrata amerikane, qeveria britanike dhe aleatët e luftës në Irak japin shifrat më të ulëta, ndërsa kundërshtarët e tyre më të lartat. Kështu, 5 vjet pasi Xhorxh Bush dhe Toni Bler nisën pushtimin e Irakut kundër dëshirës së pjesës më të madhe të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, askush nuk e di se sa civilë kanë humbur jetën. Ajo që dihet, është se mbi 2 milionë irakianë janë larguar nga Iraku, dhe 1.5 milionë janë zhvendosur në zonat më të sigurta të vendit. Ajo që dihet, është se tmerri i autobombave, sulmeve kamikaze, dhunës ndërfetare dhe taktikat amerikane kundër kryengritjeve kanë prodhuar katastrofën më të madhe humanitare në botën e sotme. Por numri i saktë i viktimave mbetet ende një mister. Grupe të ndryshme kanë bërë sondazhe e kërkime për të përllogaritur numrin e të vrarëve, por asnjëherë nuk ia kanë dalë mbanë të japin një shifër të saktë. E megjithatë, për presidentin amerikan Xhorxh Bush, Iraku përbën tashmë një fitore strategjike. Për shefin e Shtëpisë së Bardhë, tani bota është më e sigurt, megjithëse lufta sa vjen dhe bëhet më e shtrenjtë nga sa ishte parashikuar. Në 5-vjetorin e fillimit të luftës në Irak, gjatë fjalimit të tij në Pentagon, Bush u shpreh “krenar për rezultatet”, duke theksuar se tashmë bota është më e sigurt me Sadam Hyseinin jashtë loje. Por dhe vetë ai pranoi se konflikti, që nisi në 19 mars të vitit 2003 me operacionin “Liria e Irakut”, ka qenë më i vështirë dhe i kushtueshëm sesa ishte parashikuar. Gjithsesi, sipas tij, kjo luftë “e drejtë” tani duhet të përfundojë. “Strategjia e re në Irak është duke pasur sukses dhe po na hap portën e një fitoreje strategjike kundër terrorizmit. Në Irak po asistojmë aksionin e parë ushtarak arab në shkallë të gjerë kundër Osama Bin Laden dhe rrjetit të tij të terrorit”, - tha presidenti amerikan, duke saktësuar se tërheqja e trupave amerikane në Irak do të mund të bëhet vetëm nëse nuk vë në rrezik progresin e arritur deri më tani. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se do të presë raportin e muajit të ardhshëm të gjeneralit David Petraeus, përpara se të ndërmarrë vendimet të mëtejshme për nivelin e rikthimit të trupave amerikane në shtëpi. Sondazhi 64 për qind e amerikanëve mendojnë se rezultatet e 5 vjetëve luftë në Irak nuk justifikojnë humbjet në jetë njerëzore dhe koston financiare që SHBA-të po përballojnë. Kështu tregon një sondazh i rrjetit amerikan CBS, i mbajtur me rastin e 5-vjetorit të luftës në Irak. Sipas këtij sondazhi, vetëm 29 për qind e amerikanëve mendojnë se çmimi i luftës është adekuat me rezultatet e arritura. Në vitin 2003, 6 muaj pas sulmit të parë në Bagdad, amerikanët ishin të ndarë 50-50 për qind në mbështetjen ndaj kësaj lufte. Në vitin 2006, përqindja e përkrahësve ra poshtë 25 përqindëshit, ndërsa sot është rritur me 4 për qind. E megjithatë, shumica e amerikanëve mendon se Lufta e dytë e Gjirit ishte në thelb një gabim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›