E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si Perëndimi ka rënë në kurthin e dualizmit

Është një frazë e Gëtes që ndoshta mund të jetë motoja, thelbi i modernizmit mbi temën e kulturës e fesë: Kush zotëron Shkencën e Artin ka dhe fenë, kush nuk zotëron as njërën nga këto të dyja, ka vetëm fenë.

Është një frazë e Gëtes që ndoshta mund të jetë motoja, thelbi i modernizmit mbi temën e kulturës e fesë: Kush zotëron Shkencën e Artin ka dhe fenë, kush nuk zotëron as njërën nga këto të dyja, ka vetëm fenë. (Wer Wissenschaft und Kunst besitz / hat auch Religion / wer jene beiden nicht besitz / der habe Religion).

Të gjitha njohuritë i janë nënshtruar kritikës racionale, e kjo kritikë i ka zëvendësuar besimet fetare, pasi kultura ishte kulturë fetare e feja ishte fe e një kulture të caktuar.

Kjo është thyerja e operuar nga Iluminizmi, që toleron besimet duke i spostuar në një plan inferior e shpesh herë qesharak. Reagimi i fesë, në këtë rast i fesë kristiane ndjek këtë rregull: kundërvënia e afirmimi i përkatësisë së saj në një plan superior e jo inferior. Stabilizohet kështu një dualizëm, që më duket i tmerrshëm, i kulturës laike nga një anë i kulturës fetare nga ana tjetër. E kjo gjë ka çuar në situatën aktuale të civilizimit modern.

Feja është përjashtuar nga kultura si një gjë normale e universale. Nga këndvështrimi i jashtëm, rezulton e pakonceptueshme, madje skandaloze që besimi fetar nuk mësohet në shkolla, që nuk i takon pedagogjisë, instruktimit e edukimit. Duket se si njëri e tjetri janë dakord që feja është një sekt, e veçantë, e speciale sa nuk mundet të jetë në rendin e ditës së edukimit të rinisë.

Si të jetë pranuar koncepti i fesë si sekt, si të jetë pranuar se kultura shkencore është universale, një kërkesë e së vërtetës është se kultura fetare është e dyshimtë, fetare e dogmatike, ky është një fakt që ka shoqëruar historinë e Krishtërimit në shekujt e fundit. Duke parë nga jashtë pyetet: ku atëherë përmblidhet kultura jonë? Në një bashkësi njohurish të fragmentuara, të ndara njëra nga tjetra.

Në shkollë mësohet heshtja, nuk mësohet hapja ndaj realitetitpa prekoncepte (që është esenca e lutjes), nuk mësohet vetëdija e rastësisë, nuk mësohet mistika që është hapja ndaj diçkaje me një eksperiencë direkte e nuk është as sensuale, as intelektuale, por jep vetëdijen që është diçka më shumë. Nuk mësohet asgjë nga kjo: Çmësohet atëherë? Se si bëhen lekët? Konkurrenca? E më pas habitemi se pse kjo shoqëri është kjo që është sot. Duket se e gjitha kjo është një tabu.

Dhe Zoti është kthyer në një gjë partizane që as nuk mund të shqiptohet. E kur emrin e Zotit nuk e përmendim pasi rezulton partizan, atëherë dhe fenë nuk mund ta identifikojmë me Zotin. Ekzistojmë mjaft besime fetare ku koncepti i Zotit nuk ka kuptim. Pra, zoti nuk është I nevojshëm të jetë fetar. Budizmi për shembull, nuk ka zot por është një fe. Brenda mistikës së krishterë relativohet një pjesë e madhe e konceptit tonë mbi Zotin. Forma e fundit ku mund të arrijmë në njohurinë ndaj Zotit është nescientia-jo ditja.

Atëherë e gjitha kjo është një sekt? E feja nuk i përket kulturës, kulturës normale të njeriut? E këtu lind hendeku midis fesë e kulturës: Unë jam shkencëtar, por të dielën lutem me gruan. Është një skizofreni që vendos nga një anë shkencën, e nga ana tjetër një gjë private, pasi mund të shqetësojë të tjerët. Përkundrazi feja është pjesë integruese e kulturës e çdo kulturë është e mbushur me shpirt fetar.

Ndoshta problemi më i madh është një tjetër: ndoshta për një arsye apo tjetër I kemi dhënë përshtypjen e jo vetëm politikanëve, por dhe brezave të rinj, se feja është një sekt me monopolin e ekskluzivitetit? Ndoshta duke fragmentizuar ortodoksinë në formula të vogla, në mikrodoza, kemi dhënë sociologjisht përshtypjen se të jesh katolik do të thotë të jesh sektarë, të jesh besimtar do të thotë të jesh irracional, të jesh i devotshëm do të thotë të jesh sentimental, pak a shumë supersticiozë?

Mos na duhet të pyesim se jemi ndoshta ne përgjegjësit e kësaj situate? Kërkojmë ta zgjidhim duke prekur të tjerët, e duke prekur gjëra, pa pyetur se po ne vetë a jemi dualistë (jam shkencëtar por aspektin tim fetar e mbaj për vete në intimitetin tim)? Mos ndoshta kemi pranuar se feja është vetëm pak folklor, pak moral (që i bën mirë shtetit, sidomos kur shpjegon që duhen zbatuar ligjet), apo në të vërtetë është diçka kaq e paprekshme sa nuk mund të shërbejë për asgjë?

Pra problemi kulturë- fe është shumë më i thellë, është problemi i të keqes së shoqërisë civile. Një besim që nuk ndikon në kulturë, si rrjedhë në mënyrën si hamë, në politikë e në gjithçka, nuk është pjesë e kulturës: si rrjedhë humb vlerën e saj, shërben vetëm kur ke një hall, kur martohesh, kur vdes, pra në momente të tilla. Pra ndoshta ne vetë kemi një koncept të fesë të privuar nga jeta.

Por dhe një kulturë që nuk i jep besimit fetar vendin që i takon, humb përmbajtjen e saj të shëndoshë, e së fundi kemi depresionin e arratisjet tragjike në një shoqëri ku ne vetë jemi dëshmitarë, rreziku i drogës, alkoolit, i kryerjes së çmendurive e shumë gjëra të tjera.

Kur feja nuk na jep gëzimin e jetës e ne duam ta ruajmë e ta mbajmë fshehur për momente intime apo diçka tjetër, po të kemi akoma këtë respekt njerëzor që duket si një kompleks faji e në qoftë se lemë të përfshihemi nga ky shpirt, atëherë ky është rezultati.

Në teologjinë ortodokse, atributi i parë i hyjnisë është bukuria, para të vërtetës. Zoti është i bukur e më pas po të dëshironi është i vërtetë. Sugjerimi im është se midis fesë e kulturës marrëdhënia nuk duhet të jetë dualiste, secila për llogari të vet, pasi kështu njeriu ndahet e jeton në një farë skizofrenie kulturale, fetare e humane.

Mos harrojmë se fragmentizmi i njohurisë ka çuar në fragmentizimin e të njohurit deri në atë pikë sa arrin në çmenduri. Në qoftë se unë dua të jem një shkencëtar koshient që shkruaj me përgjegjësi, lexoj atë çka kanë shkruar kolegët e tjerë, p.sh. mbi një pjesë të vogël të mikrobiologjisë o makromolekulës. Ndryshe nuk do jem i ndershëm e nuk lë të avancojë kjo shkencë që ka mjaft shkencëtarë entuziast nga ky studim. Në botë çdo ditë revistat shkencore publikojnë 52 000 faqe të reja. Unë kam nevojë për 150 vjet për të lexuar pjesën time të vogël. Pra ka diçka të gabuar e që nuk shkon në këtë sistem. Duhet të fillojmë të mendojmë se kjo nuk është metoda e duhur për të marrë njohuri. Nuk mund të themi se Shkenca e Feja janë e njëjta gjë. Jo të dyja janë të ndryshme, por që së bashku të pandashme formojnë gjithçka, e për këtë kemi nevojë për një epistemologji tjetër, një ontologji vërtetë kritike ndaj vetvetes, që është diçka shumë e ndryshme. Zgjidhje do të ishte një marrëdhënie jo dualiste midis fesë e kulturës.

Shuhet dijetari i epokës moderne

Alba Kepi

Vdiq më 26 gusht në Tavertet, pranë Barcelonës, Raimon Panikkar, filozofi më i madh i shekullit XX, interpretuesi i dialogut midis kulturave e besimeve fetare. Autor i mbi gjashtëdhjetë librave të suksesshëm të përkthyer në shumë gjuhë, hartues i mjaft teksteve akademike e artikujve të botuar në faqet më prestigjioze të shtypit ndërkombëtar, Raimon Panikkar gjatë jetës së tij iu dedikua analizës së raportit midis Lindjes e Perëndimit, parë nga këndvështrimi i marrëdhënieve në Kristianizëm, Budizëm e Induizëm.

Dialogu ndërkulturor e fetar u bë lajtmotivi i punës së tij, duke u konsideruar dijetari i epokës moderne.

Të shkruaj për mua është një jetë intelektuale, por dhe një eksperiencë shpirtërore më lejon të njoh misterin e realitetit, - komentonte ai publikimin e librave të tij. Raimon Panikkar, teolog, filozof

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›