E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si bleu Selmanllari tokën në Orikum

VLORË- Miku i familjes së kryeministrit Berisha, Rrahman Selmanllari e ka blerë tokën në Orikum nga familja Sinanaliaj vetëm dy vjet pasi ka ardhur në pushtet Partia Demokratike. Në këtë kohë kjo familje ka qenë në vështirësi financiare dhe meqë "biznesmenin" Selmanllari e kishte mik, i ka dhënë një pjesë të tokës për të cilën pretendon se e ka në pronësi që nga viti 1800.


Pikërisht hyrja në lojë e "njeriut hije" të familjes Berisha i ka lehtësuar punën ndërtuesve në Orikum duke i siguruar një mbështetje speciale nga policia. Në ndihmë të tyre nuk kanë shkuar policët e thjeshtë të Vlorës por një ekip special i nisur nga kryeqyteti ku pjesa më e madhe ishte nga FNSH.


Edhe pse banorët e zonës kanë përfituar pronën në bazë të ligjit 7501, firma ndërtuese ka nisur punë pak muaj më parë për të ngritur pallate në këtë zonë dhe me ndihmën e mikut të Shkëlzen Berishës ka siguruar një mbështetje të pafund nga ana e policisë.


"Kemi një kontratë të rregullt të aktit të shitblerjes që daton prej 2007-s, akt i noterizuar dhe dokumentuar me dosjet tona të pronave. Nuk di të ketë ndonjë ligj që të penalizojë persona për të shitur dhe blerë një pronë", ka thënë dje Gentian Sinanaliaj, një nga bashkëpronarët. Ai tregon se Rrahman Selmanllari është miku i tij dhe i kishte kërkuar që të blinte një tokë.


Ndërkohë, Sadik Sinanaliaj pohon se pronën Selmanllarit ia kanë shitur në vitin 2007, periudhë që sipas tij kishin financa të dobëta. "Për këtë kemi akt shitblerjeje dhe noterizimi është kryer nga firma e noteres Drita Aga. Gjithçka është e hipotekuar",- shpjegon ai në lidhje me pronën që është në konflikt.


Duke iu referuar dokumentacioneve që disponojnë, Sinanaliajt pohojnë se pronat e tyre vijnë të trashëguara prej vitit 1800 dhe janë arkivuar në vitin 1910. Pronësia është përfituar më pas në vitin 1994 dhe shoqërohet, sipas tyre, me dokumentacione që të kohës së Zogut, pa transkriptime, pa akte shitjeje në një sipërfaqe prej 138 dynym.


"Duke qenë se gjithsej na takonte 230 dynym, pas kësaj na kthyen edhe një pjesë të sipërfaqes dhe kur doli për kthimin pa kufizim, arritëm të merrnim çka na takonte. Dosja ndodhet në AKKP, e ka prokuroria dhe po kështu ne ia kemi vënë atë në dispozicion, Avokatit të Popullit, Presidentit dhe institucioneve të tjera.


Për sa i përket problemit me banorët e tjerë që pretendojnë me 7501, atë problem ata e kanë me shtetin. Siç unë kam dijeni, kjo tokë ka qenë tokë buke, tokë e Ndërmarrjes Bujqësore, të cilat janë ndarë me 7501 dhe janë dhënë në përdorim. Tani kjo tokë është tjetërsuar në truall, është brenda vijës së verdhë, dhe kjo i kthehet pronarit",- tha Gentian Sinanaliaj.


Situata dje në Orikum ka qenë mjaft e qetë. Prona, e cila është bërë burim konflikti, ka qenë e parrethuar. Banorët i kanë besuar marrëveshjes që kanë bërë me ndërtuesit për të pezulluar punën për një afat të papërcaktuar, për shkak të situatave të tensionuara të këtyre ditëve.


Ditët e fundit, rruga kryesore e Orikumit mbarti pamje të pazakonta. Protestat e nisura kohë më parë kulmuan ditët e fundit, ku pati deri përleshje me forcat e shumta policore që zbarkuan në Orikum.

*************************

Banorët kanë marrë tokën në bazë të ligjit 7501 por në shkurt doli në skenë familja që kishte marrë tokën nga AKKP


Si nisi konflikti për tokat në Orikum


Konflikti për pronat në Orikum ka nisur në fillim të këtij viti. Pas shumë vitesh pune në Ndërmarrjen Bujqësore "Rinia" në këtë qytezë, rreth 400 familje, në përputhje me ligjin 7501 kanë përfituar nga një sipërfaqe toke, të cilën, sipas rregullave e kanë marrë me akt përdorimi.


Gjatë kësaj periudhe ata e kanë mbjellë tokën dhe e kanë përdorur. Përdorimi ka vazhduar deri në muajt shkurt-mars të këtij viti, kohë në të cilën, në sipërfaqe të caktuara që kishin në përdorim këto familje kanë filluar piketimet nga personat që e kanë quajtur veten pronarë të tokës.


Një gjë e tillë bëri që të gjitha familjet që kanë përfituar në përputhje me ligjin 7501 të ngrihen në protestë, duke parë shtimin e rasteve të ish-pronarëve që pretendonin tokat që ata kishin në përdorim. Protestat gjysmorëshe janë zhvilluar rregullisht, ku këto familje kanë bllokuar herë pas here edhe urën e Orikumit, e cila lidh Vlorën me pjesën tjetër të jugut.


Madje ka pasur edhe raste ku banorët nuk kanë lejuar punonjësit e bashkisë që të nisin punën e tyre, duke kërkuar zgjidhjen e këtij konflikti. Zyrtarë të bashkisë së Orikumit, të pyetur lidhur me këtë rast janë shprehur se fatkeqësisht në këtë zonë bregdetare ka shumë raste të mbivendosjes. Kështu e njëjta tokë ka edhe ish-pronar, ka edhe familje që e kanë pasur në përdorim.


Nga ish-punonjësit e "NB Rinia" në Orikum është pretenduar se tokat që ata kanë në përdorim janë toka që dikur kanë qenë kënetë dhe ata vetë i kanë kthyer në toka bujqësore. Por nga disa ish-pronarë, një pretendim i tillë është rrëzuar. Lidhur me sipërfaqen e tokës ku ndodhi konflikti të mërkurën, kreu i bashkisë ka pretenduar se ata kanë çdo dokument në rregull.


Gjithashtu ai është shprehur se për këtë çështje familjet duhet t'i drejtohen gjykatës, në mënyrë që ajo ta zgjidhë konfliktin e nisur. Orikumi është një zonë në të cilat mbivendosja e pronës është shumë e njohur dhe nuk janë të pakta rastet kur e njëjta sipërfaqe toke të pretendohet nga tre vetë.

************************************************

"Pronën e kam paguar me para në dorë dhe apartamente për pronarët. Më pas e kam dhënë me përqindje për pallat"

Selmanllari: Unë kam blerë 4700 m2 tokë

TIRANË- Rrahman Selmanllari ka reaguar dje në lidhje me skandalin e tokave në Orikum duke pohuar se ai e ka blerë sipërfaqjen në konflikt duke i dhënë pronarëve para në dorë por edhe apartamente në kryeqytet. Miku i djalit të kryeministrit ka shpjeguar se ka blerë vetëm 4700 m2 tokë në bregdet.


"Unë kam blerë tokë të certifikuar si të lirë e të rregullt në hipotekë, e për të cilën brenda ligjit kam paguar paratë si dhe kam lëshuar apartamente në Tiranë në përfitim të pronarëve të tokës. Toka që unë kam blerë brenda të gjitha rregullave është e ndarë dhe e përcaktuar me kufij të qartë nga pronat e pronarëve të tjerë në zonë.


Unë nuk kam ndërtuar asnjë metër katror në Orikum, por njëlloj si shumë pronarë të tjerë ia kam dhënë pronën e blerë, me përqindje një kompanie të njohur ndërtimi",- tha dje Rrahman Selmanllari. Por vetëm pak minuta më pas ai ka bërë një sqarim të njoftimit të parë.


Pa kaluar ende shumë kohë miku i Shkëlzen Berishës ka bërë një deklarim të tretë. Këtë herë ai i është përgjigjur deklarimeve të deputetit Sajmir Tahiri duke thënë: E vërteta është se unë kam blerë vetëm 4700 m2 pra 0.47 hektarë dhe kjo pronë e imja e blerë nga pronari i ligjshëm nuk ka lidhje me pronën në konflikt dhe është e dhënë për ndërtim, i cili pothuajse ka mbaruar",- ka thënë Rrahman Selmanllari.


Materiali i parë u dërgua nga "Zeni"


Një vit më parë Rrahman Selmanllari reagonte për një tjetër çështje kur rezultonte i implikuar si dhe për lidhjet e tij me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berishën. Por në e-mailin që kishte dërguar një vit më parë, Selmanllari kishte bërë një gabim foshnjarak.


Materiali i ishte bashkëngjitur e-malit dhe në dokumentin e "Microsoft Ëord" dilte në skenë një person i dyshimtë me emrin "Zeni". Pikërisht Zeni ishte njeriu që kishte krijuar dokumentin e "përgënjeshtrimit" të Rrahman Selmanllarit. Për koincidencë, edhe djali i kryeministrit quhet Shkëlzen Berisha dhe shkurt e thërrasin Zeni.

**************************

PS akuzon qeverinë dhe kreun e saj, Sali Berisha, si mbështetës të korrupsionit me pronat në bregdet


Tokat në Orikum, Tahiri: Prokuroria të nisë hetimet

TIRANË - Faktet e publikuara në media dhe që e lidhin shokun e djalit të kryeministrit, Rahman Selmanllari, me konfliktin e pronave në Orikum të Vlorës, janë konsideruar nga Partia Socialiste si skandaloze dhe tregues të ekzistencës së një rrjeti mafioz që po grabit tokat në të gjithë bregdetin shqiptar dhe që ka mbështetje politike nga njerëz të veshur me pushtet.


Duke iu referuar, pikërisht, dokumentit që vërteton se Selmanllari është bashkëpronar i tokës që është bërë objekt konflikti në Orikum, deputeti socialist, Saimir Tahiri, në emër të selisë rozë, ka akuzuar qeverinë dhe kreun e saj Sali Berisha, si mbështetës të korrupsionit me pronat në bregdet në kurriz të qytetarëve të thjeshtë. "Skandalet e njëpasnjëshme dëshmojnë se Sali Berisha, fëmijët e tij, dhe sekserët e familjes, kanë ngritur një rrjet mafioz që po zaptojnë tokat e bregdetit.


Ky dokument tregon qartë se investitori që ka zaptuar tokat e banorëve në Orikum, nuk është një njeri çfarëdo, por është vetë Rrahman Selmanllari, sekseri më i ngushtë i Shkëlzen Berishës, djalit të Sali Berishës",- tha deputeti Saimir Tahiri, i cili ka ftuar Prokurorinë të nisë menjëherë hetimet për ngjarjen e Orikumit dhe dyshimet për implikime në afera korruptive me pronat në këtë qytet.


"Rrahmani i Shkëlzenit të Saliut, ka vjedhur tokat e banorëve të Orikumit dhe ka përdorur pushtetin e kryetarit të FAMILJES për të siguruar të drejtën e investimit, duke shtypur me dhunë protestën e tyre të ligjshme nëpërmjet policisë së shtetit.


Është kjo arsyeja pse protestës së banorëve të vjedhur të Orikumit, policia e shtetit, tashmë e kthyer në një bandë private nga Lulëzim Basha, iu përgjigj me dhunën e shkopinjve të gomës për të mbrojtur biznesin e radhës të Rrahmanit, Shkëlzenit e Saliut",- u shpreh Tahiri, duke bërë të ditur gjithashtu, se Rrahman Selmanllari është njeriu që hodhi firmën me porosi e për llogari të Shkëlzen Berishës si përfaqësues i firmës fantazmë që bleu fishekët nga punishtja e Gërdecit, është njeriu që punësoi në Ambasadën Shqiptare në Romë shoferin që u kap duke transportuar drogë me targa diplomatike. Sipas Partisë Socialiste, ky është rasti më i fundit, por jo i vetmi, ku njerëz të afërt dhe familjarë të kryeministrit kanë zaptuar troje në bregdet.


Kështu, sipas Tahirit, e bija e kryeministrit, Argita Berisha, zotëron prona të konsiderueshme në gjirin e Lalzit dhe Porto Romano në Durrës, dhëndri i kryeministrit dhe burri Argitës, Jamarbër Malltezi, është i implikuar me tokat në Jalë. "I bëjmë thirrje Sali Berishës dhe Ministrit karrigethyer të ndalin menjëherë çdo veprim të dhunshëm ndaj banorëve të Orikumit që protestojnë për tokën e vjedhur nga Familja",- tha Tahiri.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›