E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat në Orikum, Tahiri: Prokuroria të nisë hetimet

PS akuzon qeverinë dhe kreun e saj, Sali Berisha, si mbështetës të korrupsionit me pronat në bregdet


TIRANË - Faktet e publikuara në media dhe që e lidhin shokun e djalit të kryeministrit, Rahman Selmanllari, me konfliktin e pronave në Orikum të Vlorës, janë konsideruar nga Partia Socialiste si skandaloze dhe tregues të ekzistencës së një rrjeti mafioz që po grabit tokat në të gjithë bregdetin shqiptar dhe që ka mbështetje politike nga njerëz të veshur me pushtet.


Duke iu referuar, pikërisht, dokumentit që vërteton se Selmanllari është bashkëpronar i tokës që është bërë objekt konflikti në Orikum, deputeti socialist, Saimir Tahiri, në emër të selisë rozë, ka akuzuar qeverinë dhe kreun e saj Sali Berisha, si mbështetës të korrupsionit me pronat në bregdet në kurriz të qytetarëve të thjeshtë. "Skandalet e njëpasnjëshme dëshmojnë se Sali Berisha, fëmijët e tij, dhe sekserët e familjes, kanë ngritur një rrjet mafioz që po zapton tokat e bregdetit.


Ky dokument tregon qartë se investitori që ka zaptuar tokat e banorëve në Orikum, nuk është një njeri çfarëdo, por është vetë Rrahman Selmanllari, sekseri më i ngushtë i Shkëlzen Berishës, djalit të Sali Berishës",- tha deputeti Saimir Tahiri, i cili ka ftuar Prokurorinë të nisë menjëherë hetimet për ngjarjen e Orikumit dhe dyshimet për implikime në afera korruptive me pronat në këtë qytet.


Duke iu përmbajtur logjikës se shteti është vënë në shërbim të interesave të pista të njerëzve të afërt dhe familjes së kryeministrit, Tahiri nuk ka nguruar të artikulojë dhe një akuzë të drejtpërdrejtë për Selmanllarin si grabitës të tokave në Orikum, ndërsa policinë e shtetit si polici private të Ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha.


"Rrahmani i Shkëlzenit të Saliut, ka vjedhur tokat e banorëve të Orikumit dhe ka përdorur pushtetin e kryetarit të FAMILJES për të siguruar të drejtën e investimit, duke shtypur me dhunë protestën e tyre të ligjshme nëpërmjet policisë së shtetit.


Është kjo arsyeja pse protestës së banorëve të vjedhur të Orikumit, policia e shtetit, tashmë e kthyer në një bandë private nga Lulëzim Basha, iu përgjigj me dhunën e shkopave të gomës për të mbrojtur biznesin e radhës të Rrahmanit, Shkëlzenit e Saliut",- u shpreh Tahiri, duke bërë të ditur gjithashtu, se Rrahman Selmanllari është njeriu që hodhi firmën me porosi e për llogari të Shkëlzen Berishës si përfaqësues i firmës fantazmë që bleu fishekët nga punishtja e Gërdecit, është njeriu që punësoi në Ambasadën Shqiptare në Romë shoferin që u kap duke transportuar drogë me targa diplomatike. Sipas Partisë Socialiste ky është rasti më i fundit, por jo i vetmi, ku njerëz të afërt dhe familjarë të kryeministrit kanë zaptuar troje në bregdet.


Kështu, sipas Tahirit e bija e kryeministrit, Argita Berisha zotëron prona të konsiderueshme në gjirin e Lalzit dhe Porto Romano në Durrës, dhëndri i kryeministrit dhe burri Argitës, Jamarbër Malltezi është i implikuar me tokat në Jalë.


Partia Socialiste bën të ditur se do ta ndjekë këtë problem në çdo hap duke iu premtuar banorëve të Orikumit se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që korrupsioni i familjes së bashku me dhunën shtetërore, të grabisë përfundimisht tokën e tyre e bashkë me të, të ardhmen e banorëve të Orikumit.


"I bëjmë thirrje Sali Berishës dhe Ministrit karrigethyer të ndalin menjëherë çdo veprim të dhunshëm ndaj banorëve të Orikumit që protestojnë për tokën e vjedhur nga Familja",- tha Tahiri

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›